Laguna e Kune-Vainit/ 80 vjet nga shpallja rezervat gjuetie, sot destinacion turistik

TIRANË, 7 korrik/ATSH/ E shpallur e para zonë e mbrojtur në vend rreth 8 dekada më parë, laguna e Kune Vainit, 8 km larg Lezhës, cilësohet si një nga më interesantet dhe gjithnjë e më shumë ka tërhequr vizitorë të huaj dhe vendas, të cilët shijojnë bukurinë e saj.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, publikoi sot pamje nga kjo lagunë të kthyer në një atraksion të përhershëm për turizmin e natyrës, vëzhgimit të shpendëve ujorë, të historisë, por edhe të kulinarisë së veçantë të zonës.

“80 vjet më parë me dekret të Mbretit Zog, Laguna e Kune-Vainit u shpall Rezervat Gjuetie, duke shënuar Zonën e parë të Mbrojtur në vend. Ndërsa sot gëzon statusin Rezervat Natyror i Menaxhuar”, – shprehet Klosi.

Laguna Kune-Vain ka një panoramë të mrekullueshme, ka infrastrukturë të ngritur në ndihmë të vizitorëve, vlera arkeologjike dhe kulinari interesante. Sot, kjo Zonë e Mbrojtur shfrytëzohet edhe për turizëm të vëzhgimit  të shpendëve të shumtë ujor që shumohen në këtë kënetë. Në përbërje të Lagunës hyjnë mjedise detare, lagunore, ligatinore, pyje, shkurre dhe livadhe, që ndërthuren hijshëm midis tyre.

Dallohet për larmi të madhe të botës së gjallë rreth 227 specie bimësh, 17 lloje molusqesh, 10 lloje amfibësh, 24 lloje zvarranikësh, disa lloje peshqish si qefull, levrek, koca, ngjala. Veçanërisht e pasur është bota e shpendëve (196 lloje migratore dhe të përhershëm), e cilësuar si “ornitologjia e Mesdheut”, 23 specie gjitarësh: lepur, dhelpër, ujk, derr i egër, etj. /k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.