Shtimi i rasteve me COVID-19/ Rakacolli: Rezultat i mosrespektimit të rregullave, spitali Infektiv po e përballon kapacitetin

TIRANË, 6 korrik/ATSH/ Zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Mira Rakacolli, tha sot se shtimi i rasteve me COVID-19, vjen si rezultat i mosrespektimit të rregullave antiCOVID.

Në një intervistë televizive, zv/ministrja Rakacolli tha se “shtimi rasteve nuk është vetëm një fenomen shqiptar, por është edhe një fenomen europian, botëror, aq më tepër edhe në rajon. Rastet shtohen për faktin se shtohen kontaktet, por nëse respektohen disa rregulla e protokolle që ne i kemi bërë shumë të qarta shtimi rasteve ne prisnim të ishte më i pakët sesa është aktualisht”.

“Pavarësisht shtimit të rasteve që ka qenë mjaft i ndjeshëm dy-tre javët e fundit, shifrat mbeten brenda atyre të kontrolluara. Nëse do të vazhdohet me këtë ritëm dhe nëse nuk zbatojmë me rigorozitet protokollet me këtë sëmundje ashtu siç u sollëm në javët e para, në fazën e parë nuk e di si do shkojë situata”, – tha Rakacolli.

E pyetur nëse Sanatoriumi do të kthehet sërish në spital COVID, Rakacolli u shpreh se “spitali Infektiv po e përballon kapacitetin në spital”.

Ne, vijoi ajo, jemi të përgatitur edhe me struktura të tjera shëndetësore, si kirurgjitë e vjetra. Edhe Infektivi vetë nuk është aq i tejmbushur sa të kërkohet hapje e një tjetër spitali COVID.

“Është me rëndësi që ne të mendojmë në globalizëm për shëndetin publik. Nuk është përgjegjësi individuale. Pra nuk je përgjegjës vetëm për shëndetin tënd, por për të gjithë komunitetin. Një element është sjellja e personave të infektuar dhe kontaktet e ngushta të këtyre personave të infektuar. Dalja e një tamponi negativ nuk të jep siguri. Tamponë nuk mund të bësh përditë, duhet të respektohet izolimi. Sidomos dalja në ambientet publike duhet evituar”, – nënvizoi Rakacolli.

Sipas saj, nuk e kemi mësuar akoma konceptin e shëndetit në komunitet.

“Vazhdojnë të jenë të ndaluara grumbullimet e mëdha. E vetmja gjë që ka rënë nga ai urdhër është fillimi i transportit publik”, – tha Rakacolli.

Zv/ministrja Rakacolli u shpreh se pishinat nuk janë të lejuara në këtë fazë të pandemisë.

“Në momentin e një sëmundje infektive nuk ka qëndrim personal, por komunitar. Mundësia që mjekët të mos infektohen janë të gjitha, por puna e tyre në një ambient me shumë virulencë, po ndonjëherë gjatë momentit të zhveshjes mund ta marrin virusin pa dashje”, – tha Rakacolli./k.s//a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.