Rruga Milot-Fier/ Alibeaj: Një projekt fantazmë, nuk ekziston në faqen e prokurimeve

TIRANË, 6 korrik /ATSH – I. Vata/ Ish-deputeti i PD-së Enkelejd Alibeaj ka reaguar sot për projektin e rrugës Milot-Fier duke e konsideruar si një vendim korruptiv dhe një projekt fantazmë, pasi sipas tij nuk ekziston në faqen përkatëse të prokurimeve.

Në një deklaratë për mediet, Alibea tha se “1.2 miliard euro është kosto e fryrë, deri në 6-fish më e lartë se bypass-i i Fierit, në mënyrë që tarifa e udhëtimit të jetë e lartë”.

“Projekti Milot-Fier është bërë me urgjencë dhe është trajtuar si një plan i vërtetë grabitje. Për këtë projekt nuk ka dokumente, nuk dihet si u përzgjodh, nuk dihet kush e mori vendimin që rruga të bëhet me koncesion, nuk dihet si u përzgjodh konsulenti që doli në konkluzionin se rruga kushton 1.2 miliardë euro dhe një udhëtim kushton 17.4 euro”, tha ai.

“Tenderi nuk ekziston i shpallur në faqen përkatëse të prokurimeve, megjithëse, gjatë shfaqjes propagandistike 5 ditë më parë, Ministrja e Infrastrukturës, premtoi ndryshe”, tha Alibeaj. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.