Njihuni me Fabiolën, shkodranen që mundi paragjykimet dhe u bë futbolliste

TIRANË, 6 korrik/ATSH/ -Vetëm 17 vjeçe, Fabiola Cakaj ka arritur të luftojë mentalitetin e zonës në të cilën jeton, duke iu treguar se futbolli nuk është vetëm një lojë çunash, por edhe vajzat mund t’ia dalin mjaft mirë.

Ajo ka rreth gjashtë vite që stërvitet rregullisht dhe tregon për rubrikën “Talentet Shqiptare” në “fshf.org” se si nisi të luajë futboll, sakrificat dhe dëshirat që ka për të ardhmen. Fabiola aktivizohet me ekipin kombëtar të femrave të U-19.

“Që fëmijë më ka pëlqyer shumë futbolli dhe kam luajtur me shokët dhe shoqet. Kur isha 11 vjeçe, më thanë që në fshatin tonë ofroheshin trajnime edhe për vajzat. Mentaliteti i varfër, jo vetëm në zonën ku unë jetoj, por thuajse në të gjithë Shqipërinë, që vajzat nuk duhet të luajnë futboll, bënë që unë të stërvitesha rregullisht, me vonesë. Por që gjithsesi, dëshira për të luajtur futboll ka ekzistuar që kur kam qenë e vogël”, shprehet ajo.

E pyetur se cili ishte njeriu i parë që e afroi me këtë sport dhe besoi tek ajo, Cakaj thekson se, “prindërit e mi padiskutim që më mbështetën, përderisa edhe më lejuan të trajnohesha. Por, personi i parë që më afroi me futbollin dhe që më ndihmoi të zhvillohesha është Emanuela Jaku. Për mua, ajo është ikona e futbollit të femrave në vendin tonë”.

“Unë stërvitem çdo ditë me ekipin dhe mundohem të jap maksimumin tim në stërvitje që të jem gati për ndeshjet me ekipin”, shton ajo.

E pyetur se cila është sakrifica më e madhe që ka, bërë për futbollin ajo tha se, “futbolli është sporti më i bukur në botë mendoj, por aq i bukur sa është, aq edhe i rrezikshëm. Një ndër sakrificat e mia ka qenë që kam luajtur edhe kur kam qenë e dëmtuar. Dhe kjo është sakrifica që mund të bëjë çdo futbollist për këtë lojë, pasi e dimë që të luash i dëmtuar vë në rrezik jetën dhe karrierën”.

Në lidhje me synimet për të ardhmen ajo u shpreh se, “kur sapo nisa të luaja, kisha vetëm një ëndërr, si gjithkush në fakt. Dëshiroja të përfaqësoja ngjyrat kuqezi. Tani që jam në ekipin kombëtar të U-19, synoj të luaj me ekipin kombëtar A. Gjithashtu, kam si synim edhe të luaj me ekipe jashtë vendit tonë”.

E pyetur se cila është motoja e saj apo mesazhi për bashkëmoshatarët e saj, Cakaj tha se, “për të pasur sukses diku dhe në diçka duhet që të këmbëngulin fort që t’ia dalin. Asnjëherë, jo vetëm për bashkëmoshatarët e mi ky mesazh, por përfshirë dhe mua nuk duhet të ndalemi për të realizuar ëndrrat. Unë kam dëgjuar dhe tani e besoj fort shprehjen “Humbës nuk është ai që rrëzohet, por ai që pas rrëzimit nuk ringrihet”.

Sa i përket idhullit të saj në kombëtaren ideale, Cakaj u shpreh se, “duke pasur rolin e mesfushores, jam frymëzuar shumë edhe nga futbollisti i kombëtares, Odise Roshi. Uroj që edhe unë t’i jap jo vetëm ekipit me të cilin aktivizohem por edhe ekipit kombëtar aq shumë sa ai i ka dhënë Shqipërisë me paraqitjet e tij”.

/gj.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.