LUBJANË – Logar: Sllovenia mbështet Shqipërinë në rrugën drejt BE-së

LUBJANË, 6 korrik /ATSH-STA/ – Në takimin me Ministrin në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, ministri i Jashtëm slloven, Anzhe Logar premtoi sot se Sllovenia do të mbështeste Shqipërinë në rrugën e kësaj të fundit për në BE.

Dy zyrtarët u përqendruan në përparimin e Shqipërisë në përmbushjen e kushteve për fillimin e negociatave të pranimit në Union.

“Sllovenia gjithmonë ka mbështetur Shqipërinë në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian dhe synon të vazhdojë ta bëjë atë”, tha Logar.

Cakaj falënderoi Slloveninë për mbështetjen duke theksuar se BE kurrë nuk do të ishte e plotë pa gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Unë jam shumë i lumtur që Logar ka një perspektivë të qartë se si rajoni duhet të ecë drejt BE”, tha ai.

Cakaj theksoi përparimin e Shqipërisë në përmbushjen e kushteve, sidomos në luftën kundër korrupsionit dhe reformën në drejtësi.

Ministrat folën gjithashtu për pandeminë Covid-19 dhe reagimin e dy vendeve ndaj saj.

Cakaj theksoi se Shqipëria i zbatoi shumë shpejt masat e rrepta ndaj kësaj pandemie.

Dy zyrtarët e lartë kërkuan nxitjen e bashkëpunimit dypalësh, veçanërisht në biznes.

Cakaj kërkoi mbështetjen e Sllovenisë për votimin e një anëtari jo të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB, një pozicion që Shqipëria kërkon ta ketë.

Bisedimet u përqendruan edhe në lidhje me bashkëpunimin brenda organizatave të tjera multilaterale, siç janë OSBE dhe NATO./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.