Infrastruktura në shërbim të komunitetit dhe turizmit/ Bashkia Memaliaj investime në 5 rrugë të qytetit

TIRANË, 6 korrik /ATSH/ Infrastruktura rrugore në bashkinë e Memaliajt po njeh një përmirësim të vazhdueshëm gjatë viteve të fundit, duke i shërbyer më shumë komunitetit dhe vizitorëve të ndryshëm vendas dhe të huaj.

Aktualisht bashkia e Memaliajt po vijon investimet për përmirësimin e infrastrukturë së brendshme rrugore në qytet.

Projekti i rehabilitimit parashikon ndërhyrjen për rehabilitimin e trotuarëve, asfaltimin e segmenteve rrugore dhe sistemimin e të gjithë rrjetit të ndriçimit.

Kryetari i bashkisë Memaliaj, Gjolekë Guci i tha ATSH-së se investimet konsistojnë në krijimin e trotuareve të rinj në zonat ku nuk ka pasur më parë trotuare si dhe ndërhyrjen në 5 akse të rrugëve të qytetit.

“Në bashkëpunim edhe me banorët e zonës, kemi prishur ndërtimet e paligjshme dhe jemi në fazën e rikualifikimit të plotë të zonës në hyrje të qytetit me infrastrukturë të përshtatshme sipas standardeve bashkëkohore”, – u shpreh Guci.

Aktualisht puna është përqendruar në rrugën e “Memo Nexhipi” në hyrje të qytetit Memaliaj dhe po shkon drejt përfundimit shtrimi i trotuareve me pllaka dhe gjelbërimin e nevojshëm.

“Investimet shërbejnë për ta bërë qytetin e Memaliajt sa më të vizitueshëm nga turistët dhe sa më komod për qytetarët. Paralelisht me ndërhyrjet në infrastrukturës urbane të qytetit bashkia me fondet e veta parashikon të fillojë punimet edhe në rehabilitimin e akseve rrugore rurale”, – tha Guci. e.xh//a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.