Foto/ Vazhdon puna në rrugën Qukës-Qafë-Plloçë, përfundojnë punimet në 3 tunele

TIRANË, 6 korrik/ATSH/ Autoriteti Rrugor Shqiptar informoi sot se po vazhdon puna në dy lote të rrugës Qukës-Qafë-Plloçë.

Sipas njoftimit nga ARRSH, aktualisht kanë përfunduar gjithë punimet civile në tunelet 1, 2 dhe në tunelin 3 të daljes së emergjencës, përfshirë edhe lyerjen e tyre si dhe po punohet me ndërtimin e shtresave të stabilizantit, me qëllim asfaltimin e shpejtë të tuneleve dhe pjesës midis tyre.

“Po punohet mbi strukturën e urës 0 dhe vendosjen e trarëve metalike tek Ura 11. Në kryqëzimin e Golikut vazhdojnë punimet për ndërtimin e strukturave dhe mbushja e trasesë”, thuhet në njoftimin e  ARRSH-së.

Projekti i rrugës Qukës-Qafë-Plloçë është pjesë e Korridorit VIII, Tiranë-Korçë. Kjo rrugë, me rëndësi të veçantë për zhvillimin e vendit, bashkon Korçën dhe Tiranën, duke lidhur motorin kryesor të zhvillimit të vendit me polin lindor zhvillimor të saj.

Rruga mundëson lidhjen e bizneseve dhe prodhuesve në zonat e Korçës, Pogradecit, Librazhdit dhe Elbasanit me tregjet e tjera kryesore të vendit.

Ajo ndikon në zhvillimin e turizmit, duke krijuar premisat për një zhvillim më të qëndrueshëm të zonës turistike rrotull liqenit të Pogradecit.

/m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.