Pas 30 vitesh zgjidhje përfundimtare për furnizimin me ujë të Krujës, punime me ritme të larta për ujësjellësin

TIRANË, 5 korrik/ATSH/ Në qytetin e Krujës vijon puna me ritme të larta për ndërtimin e rrjetit të ujësjellësit që do të furnziojë me ujë 17.500 banorë.

Kryetari i bashkisë së Krujës, Artur Bushi, bën të ditur se “po punohet në një terren tejet të thyer malor, po deri tani ka përfunduar puna në depon në malin e Krujës, në ndërtimin e linjës që lidh depon e re me depon e vjetër,  linja e furnizimit nga Antena deri në depon e re”.

“Gjithashtu ka përfunduar puna e linjës nga Antena- Sari Salltik, 4 km linja e furnizimit nga Mali i Krujës – vendburim dhe  po vijon puna edhe për 4 km të tjera në drejtim të vendburimit nga Antena – Nuajë dhe Sakarac- Qafe Tenë”, – tha Bushi.

Ndërtimi i ujësjellësit të ri të Krujës do të sigurojë jo vetëm furnizim të pandërprerë me ujë të pijshëm, por njëkohësisht do të eliminojë humbjet dhe ndotjet e ujit në rrjet. Projekti parashikon gjithashtu edhe mbulimin me ujë të pijshëm të zonës së Sarisalltikut.

Ky është një projekt jetik për qytetin e Krujës, i cili i jep zgjidhje përfundimtare problemit të furnizimit me ujë, një problem i trashëguar në mbi 30 vite. /k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.