“Gjobë deri në mbyllje të aktivitetit për këdo që thyen rregullat”/ Taskforca kontrolle në biznese për zbatimin e masave antiCOVID


TIRANË, 5 korrik /ATSH – I. Vata/ Taskforca antiCOVID po vijon kontrollet në terren me kapacitete të shtuara, 24 orë në 7 ditë të javës për zbatimin e masave dhe protokolleve të sigurisë në biznese të ndryshme për frenimin e përhapjes së infeksionit COVID-19.

Duke publikuar pamje nga kontrollet e Taskforcës, Kryeministri Edi Rama shprehet se “maska është e detyrueshme në shërbim, respektimi i distancave dhe higjiena janë elementë të domosdoshëm për t’u zbatuar nga çdo subjekt”.

“Gjobë deri në mbyllje aktiviteti dhe ndjekje penale për këdo që thyen rregullat duke rrezikuar shëndetin e qytetarëve”, thekson Rama.

Gjatë kontrolleve në terren, inspektorët bëjnë apel për respektimin dhe zbatimin e masave  dhe protokolleve.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale apelon qytetarët të ruajnë distancën nga njëri-tjetri, të mbajnë maska në ambientet publike ku nuk është e mundur të ruhet distanca dhe të ruajnë higjienën personale.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.