FOTO/ Korça çel sezonin turistik me paradën e kostumeve shumëngjyrëshe

TIRANË, 5 korrik/ATSH/ Në qytetin e Korçës për të 13-in vit  radhazi sezoni turistik u çel dje  me Festivalin Ndërkombëtar të Karnavaleve.

E njohur për Karnavalet e famshme Korça, e ka shndërruar këtë traditë në një nga festat më të bukura të qytetit.

Grupe korçare, por dhe  të ardhur nga qytete të tjera e nga jashtë vendit pushtuan bulevardin e Korçës, duke parakaluar me madhështi në një paradë ku çdo pjesëmarrje shoqërohej me nga një fabul.

Kryebashkiaku i Korçës Sotiraq Filo u shpreh se “vitet e fundit ne kemi vendosur ta çelim sezonin turistik me këtë festë tradicionale, të cilën ia kemi kthyer përsëri qytetit të Korçës, duke i dhënë një përmasë më të madhe të një festivali ndërkombëtar të karnavaleve”.

“Janë 27 grupe nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, por kemi edhe disa grupe që vijnë nga shtetet fqinje”, – tha Filo.

Për shkak të situatës së krijuar nga COVID-19 artistët performues ishin më të paktë se vitet e tjera, megjithatë të pranishmit shijuan shumëllojshmërinë e ngjyrave të kostumeve.

Karnavalet kanë filluar të festohen në Korçë para viteve 1940, periudhë në të cilën jeta kulturore në këtë qytet ka qenë e larmishme. Karnavalet e Korçës morën një hov të madh pas krijimit të shoqërive kulturore si “Rinia Korçare” etj. Në këtë periudhë karnavalet shoqëroheshin me mandolina, kitara dhe këngë humoristike. Kjo festë u ndërpre rreth viteve 60 për të rinisur pas viteve ‘90.

Korça është një ndër qytetet e para që rizgjoi traditën e karnavaleve duke krijuar në vitin 1992 Shoqatën e Karnavalit si pjesë e Shoqatës Kombëtare të Karnavalit Shqiptar. Në 10 Prill të vitit 1994, në Korçë organizohet Festivali i Parë Ndërkombëtar i Karnavalit në Shqipëri.

Një vit më pas organizohet Festivali i dytë Ndërkombëtar i Karnavalit me përmasa akoma më të mëdha. Që nga ky vit dhe deri më sot grupi i Karnavaleve të Korçës është përfaqësuar në një sërë festivalesh ndërkombëtare të organizuara në vende të ndryshme europiane. /k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.