Basha nga Korça: Do vendosim sistem taksash konkurrues për rajonin

TIRANË, 5 korrik /ATSH – I. Vata/- Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka vizituar sot disa biznese në Korçë, duke shtuar se “nuk ka ndonjë ndryshim me qytetet e tjera”.

“Këtu në Korçë konsumi ka rënë 70% dhe ka një stok të papaguar prej 5-6 milion lekësh. Ne kemi takuar sipërmarrës në qytete dhe fshatra të vendit dhe situata është prej këtu keq e më keq ndaj që ditën e parë të qeverisjes së PD-së do të marrim disa masa”, tha ai.

Basha tha se së pari do të çlirojmë biznesin nga ankthi, nga klima e tmerrshme e biznesit e cila është vendosur për shkak të terrorit qeveritar dhe administratës, duke futur në karantinë inspektoriatet”.

“Së dyti do vendosim një sistem taksash konkurrues për rajonin. Përsa i përket biznesit të vogël deri 140 milion lekë do të kenë vetëm një taksë, 0,5% e xhiros vjetore dhe çdo lloj tjetër tarifimi do të zhduket. Ndërsa për biznesin e madh do të vendosim taksën e sheshtë 9% e cila do të  synojë që më shumë para të mbeten për investime, për hapjen e vendeve të punës të cilat natyrisht do të thotë më shumë konsum e më shumë konsum do të thotë edhe më shumë mundësi edhe më shumë të ardhura në xhepat e njerëzve dhe më shumë xhiro për sipërmarrjen, do të thotë nisje e një zinxhiri pozitiv për ekonominë shqiptare. Pa këto masa, ekonomia shqiptarë do të shkojë drejt një grope gjithmonë e më të thellë si është hedhur në 7 vite”, theksoi ai. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.