Zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik i Portit të Vlorës/ Komisioni i Ekonomisë takim në Portin dhe Doganën e Vlorës

TIRANË, 4 korrik/ATSH/ Në ditën e dytë të vizitës së komisionit të Ekonomisë dhe Financave në qarkun e Vlorës me mbështetjen e OSBE-së u zhvillua një takim informues dhe monitorues në Portin dhe Doganën e Vlorës.

Anëtarët e komisionit dhe drejtuesit e dy agjencive, Kosta Vjerro dhe Admir Malaj diskutuan për problematikat e punës në port dhe doganë shkaktuar nga COVID-19.

Diskutimi u përqëndrua te rishikimi i buxhetit dhe situata e të ardhurave në kushtet e pandemisë, zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik i Portit të Vlorës, rritja e investimeve për përpunimin e mallrave në kalatat e portit, rritja e eficensës së terminalit të lëvizjes së udhëtarëve etj.

Komisioni i Ekonomisë dhe Financave e zhvilloi takimin, në terminalin e ri të pasagjerëve, ndërtuar nga autoriteti portual në vitin 2019. Ky investim i ka dhënë mundësi portit të Vlorës të konkuroj denjësisht me porte të ngjashme në vende fqinje si Italia dhe Greqia./a.agjonaj//a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.