TOKIO – Dy aeroplanmbajtëse amerikane manovra ushtarake në Detin e Kinës Jugore

TOKIO, 4 korrik /ATSH-AFP/ – Dy aeroplanmbajtëse amerikane zhvilluan manovra ushtarake në Detin e Kinës Jugore, pas shqetësimit të Uashingtonit për të njëjtin veprim të kësaj jave nga ana e Kinës rreth një arkipelagu, sovranitetin e të cilit e pretendojnë Pekini, Hanoi dhe Tajpei.

”Aeroplanmbajtëset ‘USS Nimitz’ dhe ‘USS Ronald Reagan’ zhvilluan manovra të përbashkëta në këtë zonë për të mbrojtur parimin e një zone të lirë dhe të hapur”, tha një zëdhënës i Pentagonit.

“Këto manovra janë në përputhje me angazhimet e bëra nga SHBA për të mbrojtur të drejtën e çdo kombi për të fluturuar, lundruar dhe manovruar kudo që e lejon e drejta ndërkombëtare”, shtoi ai.

Këto manovra vijnë pasi Pentagoni tha se ishte i shqetësuar nga manovrat ushtarake kineze të kryera rreth arkipelagut Paracel, të kontrolluar nga Pekini në Detin e Kinës Jugore, por gjithashtu të pretenduar nga Vietnami dhe Tajvani./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.