Kujtimja një ndër përfitueset e “pagës së luftës”: Mbështetja nga qeveria, ndihmë për ne në këtë moment të vështirë

TIRANË, 4 korrik/ATSH/ “Paga e luftës” dhe bonusi prej 40 mijë lekësh u shpërnda si ndihmë financiare nga qeveria për rreth 250 mijë punonjës në të gjitha kategoritë e biznesit, të cilat u mbyllën ose aktiviteti i tyre u reduktua për shkak të kufizimeve të vendosura.

Kujtime Karanxha është një nga të vetëpunësuarat e shumta që e kanë përfituar “pagën e luftës” prej 26 mijë lekësh në muaj, për një periudhë tre mujore.

Kujtimja ka një kancelari në një nga zonat e Tiranës. Në një bashkëbisedim me ATSH-në, Kujtimja shprehet se është e vetëpunësuar në dyqanin e saj prej rreth 15 vitesh.

“Është një biznes familjar. Në këtë biznes jam e vetëpunësuar. E hapa pasi u kthyem nga emigracioni në Gjermani rreth 15 vite më parë”, tregon Kujtimja.

Aplikimi për të përfituar pagën e luftës gjatë kohës së pandemisë, thotë Kujtimja, ishte online dhe formulari ishte i thjeshtë.

Vetëm pak ditë pas aplikimit, shprehet ajo, Administrata Tatimore e kishte njoftuar se kërkesa ishte aprovuar përmes një mesazhi në llogarinë e saj.

Mbështetje nga qeveria, vuri në dukje Kujtimja, ishte një ndihmë për ne në këtë moment të vështirë.

Qeveria, në planin e saj financiar për të përballuar situatën, parashikoi mbështetje direkte për biznesin e vogël, me qarkullim deri në 14 milionë lekë, përmes dhënies së një page minimale prej 26 mijë lekë (e ashtuquajtur paga e luftës), ndërsa biznesi i madh mund të përfitonte nga një fond garancie prej 100 milionë eurosh.

Ndërsa përmes paketës së zgjeruar iu ofrua ndihmë të punësuarve në bizneset e mëdha dhe të vogla, aktiviteti i të cilave është dëmtuar nga masat shtrënguese kundër koronavirusit. Kishin të drejtën për të aplikuar për pagën prej 40 mijë lekësh, të punësuarit e subjekteve me të ardhura vjetore mbi katërmbëdhjetë milionë lekë, të mbyllura sipas urdhrit/ave të MSHMS, të cilët kanë qenë në punë në datën e hyrjes në fuqi të urdhrave.

Edhe të punësuarit e subjekteve të lejuara për të ushtruar aktivitet, të cilët janë larguar nga puna nga data e hyrjes në fuqi të urdhrit/ave të MSHMS, deri në datën 10 prill 2020. Po ashtu u miratua një tjetër garanci sovrane prej 15 miliardë lekësh, e cila shkon për kapital qarkullues e investime për bizneset në të gjitha fushat, për të akomoduar pas COVID-19 nevojat e tyre. Gjithashtu, qeveria dyfishoi pagesën për ndihmën ekonomike dhe pagesën e papunësisë.

Ndërkaq, qeveria është gati të vërë në lëvizje planin kombëtar “Shqipëria 2030”, për rimëkëmbjen dhe zhvillimin ekonomik e social të vendit./a.gjonaj//a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.