Karçanaj: 59 mijë aplikime online në e-Albania për pasaporta biometrike në 1 muaj e gjysmë

TIRANË, 4 korrik/ATSH/ Drejtorja e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Linda Karçanaj bën të ditur se 59 mijë aplikime janë kryer online në e-Albania për pasaporta biometrike.

Karçanaj shprehet se nga momenti që ky shërbim ka hyrë online në e-Albania, 45 ditë më parë, ka patur një fluks aplikimesh nga qytetarët brenda dhe jashtë vendit.

Sipas saj, në 1 ditë numërohen mesatarisht 1300 aplikime online përmes e -Albania.

“Shifrat janë treguesi më i mirë i punës sonë. U bënë 45 ditë që qytetarët aplikojnë për pasaportën e re në e-Albania. Dhe në kaq pak kohë janë 59 mijë qytetarë të cilët kanë aplikuar, ose rreth 1300 të shërbyer çdo ditë. Mendoni pak sa kohë u është kursyer qytetarëve dhe mijëra emigrantëve shqiptarë të cilët dikur vinin në Shqipëri vetëm për të rinovuar pasaportën dhe humbnin javë të tëra nëpër zyra, derisa mbaronin punë”, deklaroi Karçanaj.

e-Albania, vijoi ajo, jo vetëm i dha fund radhëve e pritjeve të gjata në këtë vapë përvëluese por po ndihmon edhe në frenimin e pandemisë./a.gjonaj//a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.