FOKUS – Festa kombëtare në SHBA nën hijen e COVID-19

UASHINGTON, 4 korrik /ATSH-AFP/ – SHBA-ja feston sot festën kombëtare me rreziqe të larta pasi regjistroi një ditë më parë një shifër tjetër rekord të infektimeve me COVID-19, ndërkohë që Organizata Botërore e Shëndetësisë u bëri edhe një herë thirrje vendeve më të prekura të zgjohen përballë kërcënimit.

Në Europë, Anglia rihapi sot pub-et dhe restorantet, një etapë tjetër e madhe e lehtësimit të masave kufizuese.

“Ka ardhur vërtet koha që vendet të shikojnë shifrat. Ju lutem mos injoroni atë që thonë shifrat”, theksoi zyrtari i urgjencave shëndetësore në Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Michael Ryan.

“Njerëzit duhet të zgjohen. Shifrat nuk gënjejnë dhe situata në terren nuk gënjen”, shtoi ai.

“OBSH e kupton shumë mirë se ka arsye të forta për vendet që duan të rikthejnë ekonomitë e tyre në rrugën e duhur (…) Por ju nuk mund të injoroni as problemin, virusi nuk do të zhduket me magji” , theksoi ai.

Sipas organizatës, shtatë ditët e fundit kanë qenë më të këqijat në aspektin e kontaminimeve  (më shumë se 160 000 raste ditore) që prej shfaqjes së epidemisë COVID-19 në Kinë në fund të vitit 2019, dhe 60% e të gjitha rasteve të regjistruara deri në tani kanë qenë në muajin e kaluar.

SHBA-ja regjistroi dje 57 683 të infektuar të rinj me COVID-19, sipas të dhënave të Universitetit “Johns Hopkins”, i cili referon, një nivel rekord që nga fillimi i pandemisë.

“Vendi gjithashtu ka regjistruar 728 të vdekur nga Covid-19, duke e çuar numrin total të viktimave 129 405”, shtoi i njëjti burim./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.