Financim në zinxhir vlerash/ Agropërpunuesit dhe fermerët të adresohen me skema grantesh dhe garancish si një grup i vetëm

TIRANË, 4 korrik/ATSH/ Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, ishte sot në biznesin e suksesshëm të përpunimit të mishit dhe nënprodukteve të tij, Sallameri Fix, në Korçë.

Ky biznes, së bashku me modele të ngjashme në të gjithë Shqipërinë, janë burim zhvillimi për zinxhirin e plotë të vlerave financiare, duke siguruar të ardhura edhe për blegtorët dhe fermerët në skajet e vendit.

Denaj tha se ekziston një fond garancie që në vitin 2016.

“Qeveria shqiptare vendosi që të garantojë 20% të humbjes, ndërkohë BERZH garanton 50% të humbjes së pjesës së mbetur dhe bankat partnere 50% tjetër, çka e çon gati në 60% garancinë për ju dhe kolateriali është i panevojshëm. Edhe interesi duhet të jetë më i ulët, por duket se ka vështirësi për ta përthithur skemën e garancisë”, tha Denaj.

Ajo tha se “së bashku me AZHBR-në jemi futur në një diskutim se si të krijojmë disa produkte financiare që bankat e nivelit të dytë, por ndoshta në të ardhmen edhe një bankë Zhvillimi, nuk e përjashtojmë këtë, të mundësojë për bizneset e mëdha, atë që ne e quajmë financim në zinxhir vlerash. Ku agropërpunuesit dhe të gjithë fermerët që lidhen në një zinxhir, në një grup, të adresohen me financim dhe me skema grantesh dhe garancish si një grup i vetëm. Duke pasur garancinë e shtetit në financim apo grantet dhe skema të ndryshme që e ndihmojnë këtë grup të avancoj për të marrë një financim në kohën e duhur, të mundësoj edhe një element tjetër, shkallën”, tha ajo.

Denaj shtoi se “produktet duhet të jenë në atë masë të prodhuara që të bëjnë sens për tregun ndërkombëtar, përveçse cilësisë”.

“Ne duhet të rritemi, të grupohemi. Ne na bashkon interesi i biznesit me fermerët, por tregun e jashtëm e gjeni ju, nuk e gjen dot fermeri dhe ju bëheni garant për tregun e jashtëm, cilësinë e produktit dhe fermeri ju sjell produktin në bazë të një marrëdhënie kontraktuale. I gjithë ky grup vjen dhe kërkon një financim ose në bankat e nivelit të dytë, ose në një bankë Zhvillimi dhe njëkohësisht me fondet e IPARD. Nëse ne identifikojmë 7 klastera, 7 grupe, unë jam e bindur edhe 3 prej tyre të marrin vëmendjen e duhur në financime e marrëdhënie kontraktuale, unë jam e  bindur se shumë nga këto grupe mund të dinamizohen ndryshe”, iu drejtua ajo sipërmarrësit./m.m/j.p/

 

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.