Edhe të rinj me simptoma të rënda në Spitalin Infektiv/ Manastirliu: Merrni përgjegjësi individuale për zbatimin e masave mbrojtëse

TIRANË, 4 korrik/ATSH/ Në Spitalin Infektiv mes qytetarëve të shtruar, ka të rinj që po trajtohen për simptoma të rënda të shkaktuara si pasojë e COVID19.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale apeloi sot të rinjtë të zbatojnë rregullat e higjienës personale, distancimin social dhe vendosjen e maskave në mënyrë që të frenohet përhapja e COVID19, duke ndarë edhe  një videomesazh drejtuar qytetarëve nga këngëtarja e njohur Julka Gramo.

“Sot në spitalin infektiv mes qytetarëve të shtruar, ka të rinj që po trajtohen për simptoma të rënda të shkaktuara si pasojë e COVID19, sepse virusi nuk bën dallim moshe.
Sot, ka shumë të rinj që me kontaktet e shpeshta me njëri-tjetrin, pa i respektuar rregullat, rrisin mundësinë e përhapjes së infeksionit dhe e përcjellin atë tek prindërit, gjyshërit, duke i vënë ata në rrezik serioz. Vetëm me kontributin e të rinjve, për të marrë përgjegjësi individuale në këtë kohë të pazakontë, përhapja e koronavirusit të rrezikshëm mund të frenohet. Vendose maskën, ruaj distancën, laj shpesh duart, ruaj veten, ruaj të tjerët”, apeloi Manastirliu.

Në vijim të fushatës së Ministrisë së Shëndetësisë për përdorimin e maskës mbrojtëse, këngëtarja Julka Gramo tha se përdorimi i maskës mbron veten dhe familjarët tanë.

“Unë mbaj maskë të mbroj ty, kështu që të lutem më mbro edhe ti mua. Le të mbrojmë njëri-tjetrin, të mbrojmë familjet tona, të mbrojmë edhe të tjerët. Nëse unë dhe ti mbajmë maskë rreziku i transmetimit të virusit sipas disa statistikave që unë pashë sot ishte vetëm 1.5%”, thotë Gramo. z.tosku/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.