Biznes/ Rritet numri i grave pronare, dominon sektori i prodhimit dhe shërbimit

TIRANË, 4 korrik/ATSH/ Përqindja e pronareve gra ose administratore në vitin 2019, është rritur me 1%, krahasuar me vitin 2018, si përsa i përket bizneseve me aktivitet ekonomik prodhues, ashtu dhe sektorit të shërbimeve.

Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, në raportin e fundit “Burra dhe gra në Shqipëri”, 25,4% e ndërmarrjeve aktive në vend ka pronare ose administratore një grua.

Referuar INSTAT, përqindja e pronareve ose administratoreve gra është më e lartë në ndërmarrjet e vogla me 1-4 të punësuar.

Edhe në kategoritë e tjera të ndërmarrjeve me 5-9 të punësuar, 10-49 dhe mbi 50 punonjës përqindja e pronareve/administratoreve gra është rritur, krahasuar me vitin paraardhës.

Numri i bizneseve me pronare ose administratore gra është më i madh në sektorin e shërbimit, sesa në sektorin prodhues, përkatësisht 33,3% dhe 11,9%.

Në vitin 2019, shpërndarja sipas qarqeve e ndërmarrjeve aktive tregon se ndërmarrjet me pronare apo administrator gra janë të përqëndruara në qarkun e Tiranës me 32,4%, ndjekur nga qarku i Lezhës me 28,9%. /a.gjonaj//a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.