Vuçiç mund të shkojë edhe në Hënë, por në fund do të ulet me autoritetet legjitime të shtetit sovran të Kosovës

TIRANË, 3 korrik/ATSH/ Edi Rama deklaroi sot se, “nëse ne jemi 1, presidenti i Serbisë mund të shkojë në Perëndim, mund të shkojë në Lindje, mund të shkojë në Hënë po të dojë, në fund do të ulet me ne. Dhe kur them me ne do të ulet me autoritetet legjitime të shtetit sovran të Kosovës”.

Në një konferencë të përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, i pyetur mbi deklaratën e presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiç se nuk do të njohë Pavarësinë e Kosovës dhe se negocion me Perëndimin dhe jo me shqiptarët, Rama tha se, “presidenti Vuçiç është presidenti i Serbisë, mbron interesat e Serbisë, sipas këndvështrimit të tij natyrisht dhe mund të thotë nuk negocioj me shqiptarët, negocioj me perëndimin, por nuk ka shans që të negociojë me perëndimin për shqiptarët. Ama ajo që unë lexoj në këto rreshta që dëgjova prej jush dhe dua ta them hapur, se nuk ka këtu kohë dhe nuk është momenti për të bërë sikur, është fatkeqësia që ne shpesh herë na ka ndjekur në historinë tonë, që kur është dashur që të jemi 1 kur negociojmë me të tjerët, kemi humbur raste historike dhe i kemi bërë gropën vetes në ndonjë rast sepse nuk negociojmë dot me njëri-tjetrin”.

“Kështu që nëse ne jemi 1, presidenti i Serbisë mund të shkojë në Perëndim, mund të shkojë në Lindje, mund të shkojë në hënë po të dojë, në fund do të ulet me ne. Dhe kur them me ne, do të ulet me autoritetet legjitime të shtetit sovran të Kosovës, që e njeh apo nuk e njeh ai është sovran dhe i paprekshëm në sovranitetin e vet dhe natyrisht me ne në Tiranë që do të mbështesim deri në fund autoritetet, udhëheqjen e Prishtinës”, theksoi Rama.

“Por, dhe këtu ka një por shumë të madh, përballë deklaratave të tilla provokuese ka dy rrugë. Njëra është rruga e barrikadimit, tjera është rruga e përballimit. Barrikadimi  është në dëmin tonë, jo në dëm të Serbisë. Përballimi sy më sy dhe drejtpërdrejtë me mjetet e paqes është sfida jonë. Fiton kush është më i mençur dhe kush arrin dhe kush arrin të tregojë forcën e mendjes dhe të largpamësisë në paqe nuk fiton kush bën të fortin me facebook dhe bën të fortin me deklarata përçarëse. Dhe bën të fortin duke shfrytëzuar emocione, duke shfrytëzuar konjuktura të brendshme për t’u dukur përpara popullit si patriot i madh apo si flamurmbajtës i madh që po shpëton atdheun nga tradhtarët dhe nga agjentët”.

/gj.mima/ /a.g//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.