Veliaj: Shumica e linjave urbane të hënën në punë, kush nuk del i hiqet licenca

TIRANË, 3 korrik/ATSH/ Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u ka kërkuar operatorëve të transportit urban që të fillojnë shërbimin ndaj qytetarëve të hënën pasi në rast të kundërt, do të humbasin licencat.

“Besoj që shumica e linjave do të dalin të hënën. Ato që nuk do të dalin dhe do guxojnë të vënë në dyshim këtë që jam duke thënë, do ta kenë ditën e fundit që punojnë në Bashkinë e Tiranës si Operator i Transportit Publik”, deklaroi Erion Veliaj.

Ai u shpreh se bashkia ka qenë gjithmonë një dëgjuese e vëmendshme e kërkesave të tyre dhe ka lëshuar ndaj kërkesave të operatorëve sa herë që ata kanë pasur të drejtë.

Për kryebashkiakun zgjidhja është e thjeshtë. Të gjithë ata operatorë që nuk përballojnë dot shërbimin të dorëzojnë licencat. “Do të habitesha nëse do të kishte nga ata që e vënë në dyshim fjalën time. Megjithëatë disa operatorëve u kam thënë, që nëse nuk ju del. Pra nëse, fjala vjen ju nuk ju del rroga si gazetare, atëherë ti nuk del më nesër me mikrofon, sepse thua: “Unë me këtë punë nuk realizoj dot të ardhur apo stilin e jetës që kam.” Kështu që për ata që sinqerisht mund të kenë borxhe, overdrafte, mjafton ta lënë licencën, ne hapim garë dhe e merr dikush tjetër” tha Veliaj në një nga mediet e vendit. z.tosku/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.