SPANJË – Qeveria zhbllokon 10 miliardë euro për shpëtimin e kompanive strategjike

MADRID, 3 korrik /ATSH-AFP/ – Qeveria spanjolle njoftoi sot krijimin e një fondi shpëtimi publik prej 10 miliardë eurosh për kompanitë strategjike në vështirësi si pasojë e krizës së koronavirusit të ri, që mund të përfshijë hyrjen e shtetit në kapitalin e tyre.

“Objektivi i këtij fondi është akordimi i një mbështetje publike të përkohshme për të riforcuar besueshmërinë e kompanive jo financiare të prekura nga pandemia e COVID-19”, njoftoi qeveria e koalicionit të majtë në një komunikatë.

Kompanitë që do të mund të përfitojnë do të konsiderohen si strategjike, për shembull, në fushën e sigurisë, shëndetësisë, komunikacionit ose nga kontributi i tyre për mirëfunksionimin e tregjeve.

Asnjë emër i kompanive potencialisht të përfshira nuk u zbulua nga qeveria.

Paratë mund të shpërndahen përmes kredive me pjesëmarrje, ose me blerjen e aksioneve ose të obligacioneve të kompanive nga shteti, nëpërmjet Shoqërisë Publike të Pjesëmarrjes Industriale (SEPI)./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.