Sistemi zgjedhor/ Këshilli i Legjislacionit diskuton për ndryshimet kushtetuese

TIRANË, 3 korrik /ATSH – I. Vata/ Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut në mbledhje e përbashkët me Këshillin për Legjislacionin shqyrtoi sot projektligjin për disa shtesa dhe ndryshime në Kushtetutë, lidhur me ndryshimin e sistemit zgjedhor, nismë e deputetëve të opozitës parlamentare.

Në komision morën pjesë përfaqësues të shoqërisë civile në fushën e mbrojtjes të të drejtave të njeriut si dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile në fushën e monitorimit të proceseve zgjedhore.

Si drejtuese e këtij komisioni, Vasilika Hysi u shpreh se “e kemi vlerësuar mendimin e ekspertëve të pavarura, botës akademike apo shoqërisë civile dhe vlerësimet tuaja do të vlerësohen nga katër ekspertët për ndryshimet e nismës për ndryshime kushtetuese për ndryshimin e sistemit zgjedhor”.

Hysi tha se “ditën e hënë kemi një takim tjetër nga përfaqësues të botës akademike ku janë të ftuar profesorë dhe konstitucionalistë për këto ndryshime kushtetuese që kanë të bëjnë me ndryshimin e sistemit zgjedhor”.

“Po ashtu, do të këtë edhe një diskutim tjetër ditën e martën datë 7 korrik me institucionet e pavarura, por dhe Delegacionin e BE-së, Këshillit të Europës, zyra e OSBE-së, PNUD, UNICEF, pra do të dëgjojmë dhe do të kemi dhe një mendim të organizatave vendas dhe ndërkombëtarëve”, tha Hysi.

Në fjalën e saj duke iu drejtuar përfaqësuesve të shoqërisë civile, deputetja Rudina Hajdari tha se “vullneti politik i partive të mëdha për të ndryshuar sistemin zgjedhor nuk është se do të ndodhë në mënyrë të natyrshme. Në vitin 2008 kur ndodhën ndryshimet kushtetuese për Reformën Zgjedhore, ndodhi për hir të interesave atë partive të mëdha dhe të pragmatizmit, apo për hir të faktit se e kanë futur sistemin të sanksionuar në Kushtetutë që të jetë gati e pamundur që kjo të ndodhë”.

“Kështu nëse kërkohet ndryshim real dhe të shohim një realitet tjetër që të mos ndodhemi në këtë situatë ku jemi që të ketë sërish kriza politike, që të kemi sërish mos dakordësi mes partive kryesore, duhet të ndryshojmë sistemin zgjedhor ndonëse jam e bindur se nuk do t’i zgjidhë gjitha problemet, por mund t’i japim hapësirë të hyjnë partitë e reja të hyjnë të rinj dhe ndoshta të ndërtojmë nesër  një parlament që janë përfaqësues të popullit”, tha ajo.

Në fund, Hysi tha se “ajo që bie në sy gjatë këtyre diskutimeve është fakti që këto ndryshime nuk duhet të jenë të ngutshme”. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.