Kavaja me 20 hapësira publike më shumë se vjet/ Bashkëpunim me policinë për të garantuar funksionimin e stacioneve të plazhit

TIRANË, 3 korrik/ATSH/ Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosipa sot nga afër zbatimin e vendimit mbi shtimin e hapësirave të plazheve publike si dhe menaxhimin e stacioneve të plazhit gjatë një inspektimi së bashku me kryetarin e bashkisë së Kavajës, Redian Krajli dhe përfaqësues të lartë të Policisë së Shtetit.

Vendimi i Këshillit të Ministrave kërkon që strukturat akomoduese të kenë një hapësirë të konsiderueshme për plazhet private por ajo çfarë është më e rëndësishmja të shtohen në mënyre masive plazhet publike.

Bashkia e Kavajës ka shtuar plot 20 plazhe publike të cilat nga bashkia do të pastrohen, mirëmbahen do të sigurohet jeta dhe garancia se në këto plazhe nuk do të ketë aksidente.

“Do të vazhdojmë me shumë korrektësi të kërkojmë nga operatorët, të cilët kanë marrë këtë të drejtë të zbatojnë ndarjen e këtyre plazheve 80 për qind publike dhe 20 për qind private, ruajtjen në mënyrë strikte të të gjithë problematikave të zbatimit të vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë për protokollet e higjienës dhe zbatimin e masave kundër përhapjes së pandemisë”, u shpreh Klosi.

“Pajisja me dushe dhe banja publike e plazheve është detyrim ligjor i këtyre operatorëve turistikë, për të garantuar higjienën e plazheve tona. Do të vazhdojmë përgjatë gjithë muajve të verës të jemi në terren për të garantuar zbatimin pikë për pikë të protokollit të Ministrisë së Shëndetësisë për të pasur mundësinë që të bëjmë turizëm, por së bashku me turizmin të jemi shumë të mbrojtur nga pikëpamja e zbatimit të protokollit”, theksoi Klosi.

Sipas tij, “së bashku me Policinë e Rendit dhe Inspektoratin e Turizmit do të vazhdojmë të jemi shumë strikt në zbatimin e kontratave që subjektet lidhin me bashkitë përsa i përket këtyre stacioneve të plazhit për të garantuar një sistem shumë mirë të menaxhuar, shumë transparent dhe gjithësecili të ketë mundësi të bëjë biznes, por brenda biznesit të tyre të garantojë pagimin e takasve në bashki dhe po ashtu garantimin e rregullave të vendosura nga vendimi i Këshillit të Ministrave”, u shpreh ministri Klosi.

Nga ana e tij, kryetari i bashkisë së Kavajës, Redian Krajli deklaroi se “këtë vit sezoni do ketë shtesa mbi 20 stacione, plazhe publike. Sipas tij, do vijojë edhe në ditët në vijim pastrimi, edhe në bashkëpunim me Policinë Bashkiake, po ashtu dhe në bashkëpunim me Policinë e Rendit monitorimi për hapësirat publike që herë pas here mundohen t’i zaptojnë”.

Edhe zv.drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gjovalin Loka tha se strukturat e rendit do të kryejnë të gjitha detyrimet dhe përgjegjësitë për një sezon turistik të sigurt.

“Policia e Shtetit për gjithë detyrimet që lindin për mbarëvajthen e sezonit turistik 2020 ka marrë gjitha masat për ruajtjen e vijës bregdetare”, u shpreh ai, duke shtuar se në bashkëpunim me Policinë Bashkiake në bashkëpunim me Agjencinë e Bregdetit dhe me Inspektoratin e Mjedisit do të mbikëqyren plazhet dhe një vëmendje e shtuar do të jetë këtë vit për sa i përket plazheve publike.

“Këtë vit kemi shtim të numrit të plazheve publike në dispozicion të qytetarëve dhe Policia e Shtetit do të jetë dhe për mbajtjen në kontroll të këtyre ambienteve për qytetarët që të mos lejohen të zaptohen nga subjektet private. Njëkohësisht policia do të vazhdojë të mbikëqyrë plotësimin e kritereve të stacioneve të plazhit. Do të lejohen të përdorin stacione plazhi ata pronarë të cilët kanë aplikuar nëpërmjet e-Albania, kanë lidhur një kontratë me Ministrinë e Turizmit si dhe kanë paguar mandatin përkatës pranë bashkive përkatëse për sa i përket shfrytëzimit të vijës bregdetare. Për çdo problematike si dhe vitet e tjera jemi të gatshëm do të paralajmërojmë e do të garantojmë një rend e qetësi për gjithë pushuesit si për sa i përket mirëmbajtjes së vijës bregdetare dhe për sa i përket ndotjes akustike dhe nivelit të zhurmave në plazhe”, tha Loka. z.tosku/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.