“Karakteristikat e epidemisë si në vendet e rajonit”/ Manastirliu: BE, rivlerësim pas dy javësh të vendimit për hapjen e kufijve

TIRANË, 3 korrik/ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu deklaroi mbrëmjen e së premtes në një nga mediet në vend se karakteristikat e epidemisë në vendin tonë janë të njëjta si në vendet e rajonit apo në botë.

“Ka një rritje të numrit të rasteve të prekura për arsye të rihapjes. Për shkak të kalimit nga një moment nën masa të shtrënguara apo të izoluar dhe virusi e gjente të vështirë të përhapej, në një situatë tjetër ku u rrit intensiteti i virusit, për arsye të rritjes së kontakteve, grumbullimeve, pjesëmarrje në gëzime dhe hidhërime. Këto kanë sjellë një rritje të rasteve”, tha Manastirliu.

Manastirliu tha se qeveria shqiptare ka garantuar që mjekët dhe infermierët të jenë të mbrojtur dhe të garantohen kapacitetet spitalore.

“Kemi garantuar që mjekët dhe infermierët të jenë të mbrojtur, të mos u mungojnë materialet e mbrojtjes personale. Kemi garantuar që kapacitetet tona spitalore të mos jenë të kufizuara. Kemi sot 550 shtetër të dedikuar. Kemi më shumë pajisje në terapi intensive, duke filluar nga respiratorët, monitorët, gjilpërat elektrike. Na shërbeu periudha e parë edhe për t’u përgatitur. Por ishte edhe një sakrificë e njërëzve, e cila nuk duhet të lejojmë të shkojë dëm. Sjellja individuale është përcaktuese”, u shpreh ajo.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu po ashtu theksoi se Bashkimi Europian ka përdorur vetëm kriterin epidemiologjik të situatës në dy javët e fundit për caktimin e vendeve me të cilët hapi kufijtë.

Manastirliu u shpreh se pas dy javësh BE do të bëjë një tjetër vlerësim.

“Eshtë një vendim që do të vlerësohet sërish dy jave më pas. Vlerësimi që eshte bërë, është një kriter puro epidemiologjik. Kriteri që Europa ka vendosur është numri i rasteve të prekura për 100 mijë banor në dy javët e fundit”, tha Manastirliu.

z.tosku/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.