IZRAEL – Netanyahu kufizon takimet mes qytetarëve pas shtimit të rasteve me COVID-19

TEL AVIV, 3 korrik /ATSH-DPA/ – Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu rivendosi limitimin e takimeve mes qytetarëve, pasi vendi konfirmoi një numër rekord të infeksioneve të reja ditore të koronavirusit.

Një maksimum prej 50 personash do të lejohen të mblidhen në vende siç janë ato të kultit, baret, klubet, nga kufiri i mëparshëm prej 250 personash.

Në disa hapësira më të vogla të mbyllura, kufiri do të ulet në 20 persona.

“Duhet të kthehemi në politikën e kufizimeve për të rrafshuar kurbën përsëri”, tha Netanyahu, duke shtuar se situata mund të dilte jashtë kontrollit.

Masa vjen pasi Ministria e Shëndetësisë së Izraelit konfirmoi një numër prej 966 raste të reja të koronavirusit brenda 24 orëve të enjten, shifra më e lartë që nga fillimi i pandemisë.

Rekordi i mëparshëm datonte në 3 prill me 819 persona.

Vendi ka deri tani 26 452 raste infeksioni dhe 324 vdekje.   /os/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.