ITALI – “Ocean Viking” shpall gjendjen e jashtëzakonshme në bord

ROMË, 3 korrik /ATSH-AFP/ – Anija humanitare “Ocean Viking”, që shpëtoi 180 migrantë në Detin Mesdhe, shpalli sot gjendjen e jashtëzakonshme në bord, në mes të tensioneve të përshkallëzuara nga përleshjet, përpjekjet për vetëvrasje dhe kërcënimet fizike kundrejt ekuipazhit.

“Situata në bord është përkeqësuar deri në atë pikë, saqë nuk mund të garantohet më siguria e 180 të mbijetuarve dhe ekuipazhit”, shpjegoi shoqata humanitare “SOS Mediterranean”, që drejton anijen-spital.

“Duke patur parasysh tensionin e skajshëm që mbretëron atje, “Ocean Viking” shpalli gjendjen e jashtëzakonshme, hera e parë për një anije të “SOS Mediterranean”, në katër vjet e gjysmë operacione shpëtimi në det”, tha zëdhënësi, Laurence Bondard.

Anija “Ocean Viking” vazhdon të jetë në ujërat bregdetare të Siçilisë./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.