Durrës/ Pas ndërprerjes për shkak të tërmetit, rifillon procesi i legalizimit të pallateve

TIRANË, 3 korrik/ATSH/ Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Durrës ka rifilluar procesin e legalizimit dhe certifikimit të pallateve të braktisura nga ndërtuesit.

Ky proces delikat ishte ndërprerë për disa muaj, për shkak të situatës së krijuar nga tërmeti i 26 nëntorit.

Sot pasdite ky proces rifilloi me legalizimin e një prej pallateve të kësaj kategorie, i braktisur nga ndërtuesi që para 12 vjetësh. 110 familje janë pajisur me certifikatë pronësie, duke i dhënë fund pritjes shumëvjeçare.

Drejtori i Përgjithshëm i Kadastrës Shqiptare, Artan Lame iu ka kujtuar banorëve që përfituan certifikatën se duhet të lajmërojnë njerëzit e tyre për t’u bërë bashkë dhe të përfundojnë procesin e shumëpritur edhe për objekte të tjera.

Lame theksoi gjatë takimit dhe madje tregoi live aplikimin dhe printimin e certifikatës online.

“Disa shërbime ne po i ofrojmë online. Nuk ka nevojë të vini tek Kadastra për të marrë një kartelë të rifreskuar apo certifikatë por të aplikoni nga llogaria juaj online. Nuk është më e nevojshme të keni letra por do i merrni shërbimet e kërkuara në mënyre elektronike”, u shpreh Lame.

Agjencia e Kadastrës së Durrësit ka proceduar me kualifikimin e objektit, emetimin e lejeve të legalizimit si dhe regjistrimin e apartamenteve dhe njësive në regjistrat kadastralë duke nxjerrë dhe certifikatat e pronësisë për 110 apartamente dhe njësi shërbimi.

“E gjithë procedura është kryer falas”, bën të ditur Kadastra Shqiptare.

Nga muaji janar i këtij viti deri më sot është kryer procedura e legalizimit dhe për 6 objekte shumëkatëshe në emër të subjektit ndërtues.

Aktualisht është drejt përfundimit dhe legalizimi në emër të poseduesve të apartamenteve dhe për një pallat në lagjen nr.3 të subjektit ndërtues “Teuta Konstruksion”./a.gjonaj/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.