Auditimi vjetor i partive politike/ KQZ: Auditët të dorëzojnë dokumentet e aplikimit brenda datës 15 korrik

TIRANË, 3 korrik/ATSH/ Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përmes një deklarate publike fton ekspertët kontabël të licencuar që të shprehin interesin e tyre pranë KQZ-së, për auditimin e fondeve të përfituara dhe shpenzuara nga partitë politike gjatë vitit kalendarik 2019.

Për shkak të pandemisë COVID-19, ndryshe nga vitet e kaluara, afati për dorëzimin e dokumentacionit nga auditët që kanë interes, është data 15 Korrik 2020.

“Ekspertët  kontabël të regjistruar pranë Instituti i Eksperteve Kontabël të Autorizuar (IEKA), përveç kushteve të përgjithshme të ushtrimit të profesionit duhet të plotësojnë edhe këto kritere të ushtrojnë profesionin e ekspertit kontabël të licensuar në 5 vitet e fundit. Të mos kenë marrë masa disiplinore: vërejtje me shënim në dosje ose pezullim të përkohshëm gjatë ushtrimit të profesionit të ekspertit kontabël. Të mos ketë qenë i zgjedhur në strukturat drejtuese të ndonjë partie politike në 5 vitet e fundit. Të mos ketë qenë kandidat i mbështetur nga ndonjë parti politike apo koalicion në zgjedhjet pararendëse. Të mos ketë marrëdhënie krushqie të afërt ose gjinie deri në shkallë të katërt me kryetarët dhe drejtuesit e tjerë më të lartë të partive politike, të cilat do të jenë objekt i auditimit”, thekson KQZ.

“Pas shfaqjes së interesit nga ekspertët kontabël pranë KQZ-së, përmes një shorti transparent që do të hidhet nga KQZ, do të përcaktohen edhe ekspertët që do të bëjnë auditimin e fondeve të përftuara dhe shpenzuara gjatë vitit kalendarik 2017 nga partitë politike”, shton KQZ.

“Auditët e interesuar të dorëzojnë pranë KQZ-së brenda datës 15.07.2020, këtë dokumentacion: Kërkesë aplikimi; Deklaratë e nënshkruar nga kandidati lidhur me kriteret e përzgjedhjes të sipërcituara”, përfundon KQZ.

/gj.m//a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.