Rritja e eksporteve në bujqësi/ Për herë të parë në Shqipëri, program trajnimi për certifikimin GlobalG.A.P

TIRANË, 2 korrik/ATSH/ Në një partneritet strategjik për të rritur eksportet dhe krijimin e vendeve të punës në agrobiznes për të rinjtë shqiptarë, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në bashkëpunim me RisiAlbania, një projekt inovativ i mbështetur nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, vazhdon të mbështesë zhvillimin e Standardit GlobalG.A.P.

Nëpërmjet shkëmbimeve të vazhdueshme ndërmjet RisiAlbania dhe MBZHR, në muajin qershor, MBZHR përfshiu GlobalG.A.P si pjesë e mbështetjes në Skemat Kombëtare, që do të thotë se eksportuesit dhe fermerët mund të kërkojnë ndihmë financiare për të marrë certifikimin.

Rezultatet shumë pozitive të eksportuesve që pilotuan certifikimin në grup me GlobalG.A.P shtynë MBZHR për të përfshirë mbështetjen për GlobalG.A.P në skemat kombëtare.

Ndërkohë në muajt qershor, korrik dhe shtator 2020, MARD dhe RisiAlbania do të mbështesë GlobalG.A.P dhe “Albinspekt” në organizimin e GlobalG.A.P “Farm Assurance”, program trajnimi për konsulencen GlobalG.A.P në Shqipëri, ku 15 këshilltarë dhe stafi i eksportuesve do të marrin pjesë në një trajnim mbi GlobalG.A.P për certifikimin individual dhe në grup.

Ministria e Bujqësisë njofton se së shpejti do të krijohet Grupi Kombëtar Teknik i Punës si një organ kontakti për GlobalG.A.P, gjë e cila do të japë një impakt pozitiv në zhvillimin e standardit dhe sigurisë ushqimore.

Ndërkohe të gjitha këto iniciativa bëjnë të mundur që eksportuesit shqiptarë të eksportojnë më shumë produkte në tregjet me vlera të larta dhe vendosin kontrata më të mira. Nga ana tjetër fermerët do të krijojnë kontrata më të besueshme me eksportuesit, do të rrisin të ardhurat dhe sipërfaqet e tyre të frutave dhe perimeve të kultivuara dhe do të krijojnë punë për gra dhe burra si dhe të rinj në të gjitha nivelet e zinxhirit të vlerës.

Gjatë vitit 2018 dhe 2019, RisiAlbania mbështeti eksportuesit dhe Shoqëritë e Bashkëpunimit Bujqësor (SHBB) për të pilotuar certifikimin në grup GlobalG.A.P duke përkrahur gjithashtu “Albinspekt”, një organ certifikimi, për të ndërtuar një platformë informuese mbi standartin GlobalG.A.P.

Paralelisht, MBZHR në partneritet me RisiAlbania mbështeti organizimin e GlobalG.A.P STOP TOUR në Shqipëri në Mars 2019.

Për herë të parë, organizata GlobalG.A.P dërgoi përfaqësues në Tiranë për të rritur ndërgjegjësimin e aktoreve kryesorë mbi standardet që duhet të plotësoj çdo subjekt. Rreth 114 agrobiznese morën pjesë në konferencë. Pas kësaj ngjarje, eksportuesit shqiptarë filluan të rritin interes me tepër për certifikimin e GlobalG.A.P dhe sipërfaqja e produkteve të certifikuara GlobalG.A.P u rrit me rreth 300%.

Në qershor 2019, ministri i Bujqësisë, Bledi Çuçi, vizitoi disa eksportues që morën certifikimin në grup me GlobalG.A.P, dhe mesazhi kryesor ishte: “Nëse produktet shqiptare janë GlobalG.A.P siguria dhe cilësia e ushqimit e certifikuar janë 100% të garantuara dhe produktet mund të shiten në të gjithë Europën”. Ai ftoi eksportuesit e tjerë që të aplikojnë dhe të certifikohen së bashku me fermerët./m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.