Rekomandimet e Këshillit të Ministrave/ Çelaj: Rritja e rolit të gjyqtarëve në hetime, sfidë për Prokurorinë

TIRANË, 2 korrik/ATSH/ Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, i ka prezantuar të martën Prokurorisë së Përgjithshëm rekomandimet prioritare në luftën kundër kriminalitetit për vitin 2020.

Ministrja Gjonaj, theksoi se rekomandimet e qeverisë janë ndarë në 5 drejtime kryesore, teksa Kryeprokurori Olsian Çelaj, shtoi se këto rekomandime duhet të ishin adresuar më herët, teksa kujton pavarësinë e Prokurorisë Speciale SPAK nga Prokuroria e Përgjithshme, çka lips mekanizma të tjera ligjore për adresimin e plotë rekomandimeve.

“Jam e ndërgjegjshme që në momentin ku gjendemi është një moment delikat për shkak të shtrirjes së gjerë të efekteve të zbatimit të reformës në drejtësi, ku Vetingu është ende në proces dhe institucionet drejtësisë janë në plotësim e sipër. Nga viti i kaluar janë bërë një sërë hapash përpara për realizimin e objektivave. SPAK është tashmë funksionale me më shumë se 10 prokuror dhe shumë shpejt pritet emërimi i kryetarit të BKH dhe më tej plotësimi i organikës së saj”, – tha Gjonaj.

“Në krahasim me situatën e një viti më parë Prokuroria është futur në shtratin e ri kushtetues e ligjor që garanton emërime cilësore, karrierë transparente dhe meritokratike dhe pavarësinë e çdo prokurori në vendimmarrjen për çështjen. Ka ardhur koha që pavarësia e secilit prokuror të shoqërohet me më shumë përgjegjësi dhe llogaridhënie”, – shtoi Gjonaj.

Ajo theksoi se “qeveria ka mbështetur dhe do të vijojë të mbështes Prokurorinë në modernizimin e mjeteve të hetimit dhe sistemeve të regjistrimit të çështjeve penale, sigurimin e stafit administrativ dhe rritjen e profesionalizmin. Prokuroria duhet të dijë ti përgjigjet qytetarëve, duke treguar kujdes në të drejtat e tyre, duke dhënë përgjigje të shpejtë, pa sorollatje dhe akoma më keq, duke u bërë palë me kriminelin. Presim që prokuroria të mos pushoj apo të mos filloj çështje në shkelje me ligjin”, – nënvizoi Gjonaj.

Ministrja e Drejtësisë tha se drejtimet ku fokusohen rekomandimet e Këshillit të Ministrave për t’u ndjekur nga Prokuroria janë në pesë drejtime.

“Drejtimi i parë është garantimi i pavarësisë dhe përgjegjshmërisë së Prokurorit. Krijimi i një organi të ndjekjes penale të pavarur e të pa-anshëm është një parim thelbësor i procesit penal të drejtë e ligjor. Pavarësia dhe paanshmëria janë kërkesë bazë për ekzistencën e procesit penal. Fillimi hetimit dhe ndjekja e të gjithë procesit sipas legjislacionit ndikon ndjeshëm në suksesin në luftën ndaj kriminalitetit”, – tha Gjonaj.

“Krijimi i SPAK gur themeli për luftën ndaj korrupsionit e krimit të organizuar. Në këto kushte, me nisjen e punës së SPAK, lind nevoja e për konsolidimin e raportit ndërinstitucional me prokurorit e rretheve lidhur me identifikimin e kompetencës materiale, me qëllim efikasitetin e hetimit duke vënë para përgjegjësinë autorin e krimit. Në këtë kuadër qeveria ka rekomanduar forcimin e rolit aktiv të prokurorit në hetimin paraprak në kuadër të shtimit të rasteve të hetimit të filluar kryesisht, si dhe forcimin e mekanizmave të kontrollit”, – tha Gjonaj.

“Drejtimi dytë, është lufta ndaj korrupsionit, që mbetet sfidë kryesore edhe për vitin 2020 për zhvillimin ekonomik e shoqëror të Shqipërisë dhe në kuadër të rrugës drejt BE. Jo vetëm si ministre e drejtësisë, por dhe si koordinatore kombëtare e luftës ndaj korrupsionit janë dhënë një sërë rekomandimesh në këtë drejtim”, – bëri me dije Gjonaj.

“Efektiviteti i SPAK edhe në këtë drejtim përbën një rol të padiskutueshëm në suksesin e kësaj lufte. Thelbësore për luftë ndaj korrupsionit është dhe sekuestrimi i të ardhurave me burime kriminale, me qëllim rikthimin e besimit të publikut tek drejtësia. Krijimi dhe funksionimi i BKH është shumë i rëndësishëm në këtë drejtim. Prandaj është rekomanduar për vitin 2020, në luftën ndaj korrupsionit, rritje e numrit të hetimit dhe cilësisë së hetimit. Shtimi i numrit të hetimeve pro-aktive, duke përdorur metoda speciale. Shtimin e numrit të hetimeve të zyrtarëve të lartë për korrupsion”, tha Gjonaj, e cila vuri në dukje se “lidhur me asetet e sekuestruara, raporti nuk është në nivelin e kërkuar po të shihet në krahasim me numrin e procedimeve të filluara, prandaj është rekomanduar edhe shtimi i numrit të hetimeve sistematike pasurore, si dhe shtimi aseteve të sekuestruara.”

“Drejtimi i tretë, lufta ndaj krimit të organizuar, që mbetet një shqetësim jo vetëm për shtetin shqiptarë por edhe më gjerë. Kjo është një ndër prioritetet kyçe të qeverisë, si përgjegjësi para qytetarëve shqiptarë dhe si një nga rekomandimet për rrugën tonë drejt BE. SPAK ka një rol të rëndësishëm në këtë drejtim. Këtu kërkohet një bashkëpunim edhe më i madh me partnerët e huaj dhe organet ndërkombëtare të hetimit. Rekomandohet krijimi i një sistemi statistikor për monitorimin për çështjet të pastrimit të parave. Rekomandohet rritja e numrit dhe cilësisë së hetimit për pastrimin e produkteve kriminale apo parave”, – tha Gjonaj.

“Lufta kundër kultivimit të narkotikëve vijon të jetë prioritet. Suksesi institucioneve të ngarkuara për parandalimin e goditjes së fenomenit të përdorimit të kanabisit në vend, matet me vënien para drejtësisë të financuesve dhe drejtuesve të rrjeteve kriminale. Dobësimi i financave të drejtuesve të rrjeteve kriminale është një drejtim tjetër kryesor ku duhet të fokusohet lufta ndaj krimit të organizuar. Prioritet hetimi financiar si pjesë përbërëse e hetimit penal të përgjithshëm”, – shtoi Gjonaj.

“Drejtimi i katërt, ku janë adresuar rekomandimet janë respektimi i të drejtave të njeriut. Një prioritet tjetër i qeverisë, ku në fokus janë grupet më të dobëta të shoqërisë, ku kemi kërkuara rritje e kërkesave për dënimeve alternative për autorët me rrezikshmëri të ulët shoqërore. Është rekomanduar ashpërsimi i masave të sigurisë dhe masave të dënimit me natyre gjinore, keqtrajtimit, trafikimit të fëmijëve. Dhuna në familje është një nga drejtimet ku ne si qeveri kemi drejtuar punën tonë, për adresimin më të mirë të problematikës së dhunës në familje dhe një fokus të veçantë ka dhe rekomandimi për ashpërsim të dënimeve penale për autorët e dhunës në familje dhe këtu duhet një zbatim më i mirë i kodit penal”, – vijoi Gjonaj.

“Drejtimi i pestë ku qeveria ka fokusuar rekomandimet është bashkëpunimi ndërinstitucional dhe ndërkombëtarë, që ndikon drejt për drejt në rritjen e goditjes së grupeve të strukturuara kriminale. Lufta ndaj grupeve strukturuara kriminale është më e lehtë kur organet ligjzbatuese bashkëpunojnë mes tyre”, – theksoi Gjonaj.

“Një pjesë e mirë rekomandimeve të Këshillit të Ministrave për Prokurorinë e Përgjithshëm në luftën kundër kriminalitetit për vitin 2020, përkojnë me disa nga prioritetet e përcaktuara nga vetë Prokuroria e Përgjithshme për këtë vit kalendarik”, – tha Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela gjatë prezantimit të rekomandimeve prioritare për Prokurorin e Përgjithshëm në luftën kundër kriminalitetit për vitin 2020.

Kryeprokurori theksoi se sfidë mbetet marrëdhënia e re, e krijuar për shkak të Reformës në Drejtësi, mes Prokurorit dhe Gjyqtarit, i cili tashmë ka kompetenca të shtuara, që diktojnë punën e Prokurorit.

“Momenti i paraqitjes së rekomandimeve nga Këshilli i Ministrave është thelbësor për ndërveprimin institucional mes ekzekutivit dhe prokurorisë si organ i pavarur. Pavarësia funksionale e prokurorëve si dhe e prokurorisë si institucion në raport me pushtetet e tjera nuk janë qëllim në vetvete”, – tha Çela në çelje të fjalës së tij.

Sipas Kryeprokurorit, pavarësia është mjeti që duhet të garantojë funksionimin eficient të institucionit. “Nisur nga ky këndvështrim, këto rekomandime marrin një rol të veçantë, pasi shërbejnë për një rivlerësim të përdorimit të burimeve njerëzore, teknike e financiare në drejtim të mirëpërcaktimit të prioriteteve që kërkon lufta ndaj krimit, ndërkohë që duhet të integrohen sistematikisht në punën e çdo prokurori, përmes angazhimit profesional dhe qëndrimeve ligjore në çdo çështje që heton apo përfaqëson në gjykim.”

Çela vuri në duke faktin se “kodi i ri i procedurës penale ka ndryshuar raportet tradicionale të hetimit, duke i dhënë gjyqtarit të seancës parapake kompetenca jo vetëm në vendimmarrjen në fund të hetimit paraprak, por edhe mbi ecurinë e hetimit, pikërisht atë rol që prokuroria e ka pasur deri më sot në mënyrë ekskluzive në raport edhe me policinë gjyqësore, funksionin e kontrollit dhe drejtimit të hetimit në fazën përfundimtare të hetimit”.

“Ky ndryshim i rëndësishëm që erdhi pas decentralizimit të prokurorisë, në fakt ka krijuar një dualitet mes prokurorit dhe gjyqtarit në hetim. Gjyqtari, përveç kontrollit të ligjshmërisë në fazën e hetimit, i ushtruar përgjithësisht në mënyrë pasive, tashmë ka marrë rolin e kontrollit mbi organin e prokurorisë gjatë kësaj faze, madje edhe drejton hetimet dhe vendos afate për kryerjen e tyre, ndërkohë që nuk ka një përgjegjësi institucionale për efikasitetin e veprimtarisë e tij në fazën hetimore dhe as bën vlerësime të natyrës organizative mbi kapacitetet njerëzore apo teknike të nevojshme në kryerjen e një hetimi”, – tha Kryeprokurori Çela.

“Prokurori i pavarur dhe gjyqtari i seancës paraprake në veprimtarinë e tyre nuk e kanë mundësinë të veprojnë si një strukturë e mirëdefinuar vendimmarrëse, me kapacitete që i lejojnë asimilimin e prioriteteve, përcaktimin e objektivave të qarta në funksion të tyre dhe shfrytëzimin e kapaciteteve në përputhje me to. Për më tepër, decentralizimi për vetë natyrën e tij, përçon impulse centrifugale, për shkak të mosnjësimit të praktikave, mungesës së koherencës në qëndrime dhe mungesës së aftësisë për t’ju përshtatur ritmeve që imponon ndryshimi i rrethanave apo edhe mungesa e një përgjegjësie të mirëpërcaktuar në raport me ndërveprimin institucional”, – shtoi Kreu i Prokurorisë.

Ai tha se mbetet një sfidë përballja me këto probleme jetike, me qëllim gjetjen e instrumenteve të duhur për arritjen e kohezionit ndërinstitucional, përmes përçimit dhe konkretizimit të prioriteteve dhe rekomandimeve pikërisht atje ku prodhohet rezultati konkret i hetimit dhe gjykimit.

“Për këtë arsye vlerësoj se ka ardhur koha që të rikonceptohet modeli i bashkëveprimit ndërinstitucional, me qëllim identifikimin e prioriteteve dhe rekomandimeve që marrin në konsideratë kuadrin kushtetues dhe ligjor, duke mos përjashtuar mundësinë e identifikimit të paqartësive apo mangësive ligjore në këtë drejtim”, – tha Çela.

Kryeprokurori Çela u shpreh se “brenda sistemit të prokurorisë veprojnë të pavarura nga njëra tjetra dy degëzime të institucionit, prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm që kanë si organ më të lartë Prokurorinë e Përgjithshme dhe Prokuroria e Posaçme. Ndonëse në ligjin nr. 97/2016, parashikohet se rekomandimet e Këshillit të Ministrave i drejtohen Prokurorit të Përgjithshëm, nuk ka asnjë instrument ligjor me të cilin ky i fundit t’ja përcjellë ato Prokurorisë së Posaçme. Ekzekutivi duhet të gjejë mekanizmat e duhur për të rregulluar këtë anomali, pasi struktura kompetente për luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit është Prokuroria e Posaçme, drejtuesi i së cilës raporton në Kuvend sipas parashikimeve të nenit 104 të ligjit”, – tha Çela.

Kryeprokurori tha se realizimi i rekomandimeve nuk bëhet i lehtë, po të shihet koha kur kanë ardhur nga kuvendi në Prokurori. “Koha në të cilën ato mbërritën në prokurori mendoj se bën të vështirë përpunimin dhe marrjen e masave për ndjekjen e tyre. Është shumë e rëndësishme që ky proces të kryhet në nisje të çdo viti, për t’i mundësuar prokurorisë hartimin e planeve dhe strategjive për vlerësimin dhe përçimin e tyre në mënyrë efikase.”

“Unë vlerësoj se një pjesë e rekomandimeve për fat të mirë përkojnë edhe me disa nga prioritetet dhe nismat e ndërmarra tashmë nga Prokuroria e Përgjithshme. Ne kemi hedhur disa hapa të rëndësishëm në drejtim të bashkëpunimit ndërinstitucional në lidhje me luftën ndaj krimit financiar dhe pastrimit të produkteve të veprës penale. Ndërsa jemi në fazën e nënshkrimit të një memorandumi bashkëpunimi me disa institucione, kjo do të pasohet nga një fazë e ristrukturimit të brendshëm të zyrave në funksion të këtij qëllimi, ndërkohë që do të krijohen mekanizma të përhershëm të koordinimit në nivel vendor dhe qendror”, – tha Çela.

Ai garantoi se “hapa po ndërmerren edhe në drejtim të rritjes së efikasitetit në hetimet pasurore, përmes ristrukturimit të modeleve të veprimit dhe përcaktimit të afateve në kryerjen e tyre, me synim rritjen e eficencës dhe garantimin e të drejtave të shtetasve. Shumë shpejt do të miratohet edhe udhëzimi që do të rregullojë marrëdhëniet mes prokurorëve dhe drejtuesve. Ky udhëzim do të krijojë një sistem të kontrollit reciprok dhe ekuilibrit brenda zyrave, do të rrisë transparencën, do garantojë pavarësinë dhe do të rrisë përgjegjshmërinë e drejtuesve dhe prokurorëve”, – bëri të ditur Çela.

“Prokuroria e Përgjithshme do t’i analizojë me vëmendje të veçantë të gjitha rekomandimet prioritare dhe do të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për marrjen e masave që do të vlerësohen të përshtatshme në një kohë sa më të shkurtër. Rekomandimet duhet të vlerësohen me seriozitet maksimal edhe nga të gjithë drejtuesit dhe prokurorët, të cilët duhet t’i mbajnë në konsideratë në organizimin e punës dhe aktivitetin hetimor. Drejtuesit duhet t’i ndjekin në vazhdimësi rekomandimet dhe të identifikojnë me kujdes edhe treguesit të cilët do të shërbejnë për vlerësimin e realizimit të tyre në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm”, – përfundoi Çela. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.