Model i ri zhvillimi urban dhe social-ekonomik në Laç/ Nënshkruhet marrëveshja me Turqinë për ndërtimin e 522 banesave

TIRANË, 2 korrik/ATSH/ Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj dhe ministri turk i Mjedisit dhe Urbanizimit, Murat Kurum, nënshkruan sot marrëveshjen e bashkëpunimit për projektin e ndërtimit të 522 banesave në Laç.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes, Ahmetaj theksoi se hapi i radhës, është fillimi i punës në një tjetër kantier të madh të rindërtimit brenda hapësirës së dëmtuar nga tërmeti dhe një ndër projektet e parë të ndërtimit të zonave të reja për zhvillim.

“Përtej 522 njësive të banimit, brenda hapësirës prej 72 mijë m2 të ndërtimit do të ketë edhe ambiente shërbimi dhe tregtare, parkim nëntokësor si dhe hapësira të gjelbëruara. Sheshi qendror i qytetit, godina e bashkisë dhe shkolla 9-vjeçare ‘Gjon Gjonaj’, janë gjithashtu pjesë e integruar e tij”, tha Ahmetaj.

Ai theksoi se “projekti është dizenjuar me standardet më të larta të sigurisë dhe cilësisë dhe do të kthehet në një model të ri të zhvillimit urban dhe social-ekonomik për Laçin”.

/m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.