“Kontrolle intensive gjatë gjithë sezonit turistik”/ Manastirliu: Nëse zbatojmë masat, vijimi i epidemisë do të jetë i qëndrueshëm

TIRANË, 2 korrik/ATSH-Maela Marini/ “Ka pasur një relaksim të popullatës që u reflektua në shtim të rasteve pozitive, por nëse vijojmë të kemi kujdes në zbatimin e masave, vijimi i epidemisë do të jetë i qëndrueshëm dhe KE do të vlerësojë tendencën e qëndrueshme të epidemisë”, deklaroi sot në mbrëmje ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, duke folur për vendosjen e Shqipërisë në listën e vendeve që ndalohet të lëvizin drejt BE-së për shkak të COVID-19.

“Ne jemi në javën e pestë pas rihapjes së madhe. Prisnim që do të kishte një shtim të rasteve. Ka kapërcyer pak pritshmërinë tonë, pasi mendonim se do të kishim shumë më shumë zbatim të rregullave. Fakti që ne nuk kaluam tragjedinë e vendeve të tjera, nuk do të thotë që rreziku nuk ekziston. Ajo çfarë ndodhi ishte një relaksim i sjelljes dhe intensifikim i kontakteve që solli rritjen e numrit të rasteve. Ajo që shohim është se ka prekur edhe mosha të reja. Mosha mesatare e të prekurve është ulur dhe është rreth 45 vjeç”, u shpreh Manastirliu.

Manastirliu ka dhënë edhe detaje për gjendjen aktuale të të prekurve nga COVID-19.

“Kemi një rast të një fëmije dymuajshe që është shtruar në spitalin pediatrik në shërbimin e infektivit bashkë me të ëmën e vet. I ka dhënë pasojë Covidi, është rasti i parë që ne kemi një fëmijë të shtruar në spitalin Infektiv që kërkon trajtim mjekësor së bashku me nënën e tij”, tha ministrja.

Manastirliu theksoi se “KE do të bëjë një vlerësim të situatës dyjavore dhe kriteret epidemiologjike kanë vendosur një indikator që është 16 të prekur për 100 mijë banorë”.

“Ne në dy javët e fundit kishim 29 të prekur për 100 mijë banorë, ndërsa vetëm javën që kaloi e kishim 16.6 të prekur për 100 mijë banorë. Kjo nuk do të thotë se në dy javët e ardhshme nuk mund të kemi përmirësim. Virusi ka fazë inkubimi 2-javore dhe masat që ne zbatojmë reflektohen direkt”, tha ministrja.

Manastirliu foli edhe për rëndësinë e zbatimit të protokolleve shëndetësore gjatë sezonit turistik.

“Ne kemi filluar intensifikim të kontrollit përgjatë gjithë zonës bregdetare për sa i përket zbatimit të masave në hoteleri. Do kryhen kontrolle intensive gjatë gjithë sezonit turistik përmes taskforcës. Po ashtu me masat dhe protokollet që ne kemi në qendrat shëndetësore verore do të përgjigjemi dhe koordinojmë punën që të izolojmë në kohë rastet e infektuara”, tha Manastirliu.

Lidhur me transportin urban dhe ndërurban, ajo theksoi se “gjithçka varet nga zbatimi i protokollit. Protokolli po zbatohet deri tani sa i përket maskave apo barrierave mbrojtëse, distancimit dhe kapaciteteve që është 70% i hapësirës”.

Ministrja u shpreh se “ne duhet t’i përdorim maskat në ambiente të brendshme dhe këtë e kemi të detyrueshme për të gjitha ato aktivitete me risk të lartë nisur nga transporti publik dhe strukturat me intensitet kontaktesh si supermarketet, qendrat tregtare, fasoneritë, bizneset me numër të lartë punonjësish”.

“Sot në Komitetin e Ekspertëve u diskutua për ta vendosur si detyrim në çdo ambient të brendshëm barrierën mbrojtëse ose maskën”, tha ajo.

Lidhur me vaksinën kundër COVID-19, Manastirliu tha se “janë në fazat eksperimentale disa lloje vaksinash, por ende nuk kemi lajm pozitiv për vaksinën”.

“Mesazhi im për qytetarët është t’i drejtohen gjithmonë informacionit zyrtar dhe të jenë të vetëdijshëm se çdo pasojë nesër varet nga sjellja individuale sot. Nëse ne duam të jetojmë të qetë dhe të vijojmë në këtë normalitet të ri duhet të ruajmë distancimin social, maskën dhe higjienën personale”, tha ajo.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.