Dialogu me Serbinë, Hoti: Kosova ka ndërtuar të gjitha mekanizmat për t’u përfaqësuar

TIRANË, 2 korrik/ATSH/ Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti deklaroi sot se Kushtetuta i jep atij të drejtën për të përfaqësuar Kosovën në procesin e dialogut me Serbinë.

Në një intervistë televizive Hoti u shpreh se, tashmë Kosova ka ndërtuar të gjitha mekanizmat për t’u përfaqësuar në këtë dialog dhe pohoi se është i gatshëm të shkojë në takimin e Shtëpisë së Bardhë, në ftesën më të parë që do të ketë.

Ai tha se për këtë takim janë parashikuar objektiva dhe se nuk diskutohet integriteti territorial i vendit, por çështje që lidhen me njohjen reciproke.

“Unë kam pasur ftesë që të shkoj edhe pas asaj që ndodhi dhe ka qenë insistim i ambasadorit Grenell që unë të shkoj. Më pas u ra dakord që ky takim të spostohej për një datë tjetër”, u shpreh Hoti.

“Takimi u spostua deri sa ne të konsolidojmë një ekip shtetëror që përfaqëson Kosovën”, shtoi Hoti.

“Delegacioni është ndërtuar. Në aspektin kushtetues është Kryeministri i vendit që përfaqëson shtetin në procesin e dialogut. Ajo që unë po bëj është që të kemi një përfshirje të forcave politike. Dje në mbledhje të qeverisë kemi themeluar një zyrë dhe jemi dakordësuar në sallën e Kuvendit, që Kuvendi të jetë i përfshirë në proces. Pra kemi ndërtuar mekanizmat”, tha ai.

I pyetur nëse ka dijeni nëse në Shtëpinë e Bardhë do të flitet për demarkim apo korrigjim kufiri, Hoti tha se, “nuk diskutohet për çështje territoresh, nuk diskutohet integriteti territorial, karakteri i shtetit. Marrëveshja duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën. Kemi parashikuar objektiva, njohje reciproke dhe normalizim i çështjeve që janë derivat i njohjes reciproke”.

/gj.mima/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.