Bujqësia mbajti ndezur motorin e ekonomisë kombëtare, rriti kontributin me 0.71%

Bujqësia impuls i ri zhvillimi, përmes projekteve të integruara që injektuan  mbështetje financiare dhe lehtësi fiskale për fermerët dhe agrobiznesin  

TIRANË, 2 korrik /ATSH/ Bujqësia mbetet një nga sektorët me potencial më të madh në Shqipëri.

Sipas statistikave zyrtare të INSTAT, kontributi i këtij sektori në tremujorin e parë të vitit 2020, i ndikuar nga situata e COVID-19, u rrit me 0.71%, krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2019.

Megjithëse në ndikimin e situatës së vështirë të krijuar nga COVID-19, bujqësia vijoi të performojë pozitivisht përfshirë edhe sektorët blegtori e agroturizëm, ku krahas rritjes së prodhimit ka shënuar në këtë periudhë edhe rritje të eksporteve “Made in Albania”.

Në 3-mujorin e parë të viti, eksportet e prodhime bujqësore u rritën me 18% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019.

Falë programeve të mbështetjes së integruar në bujqësi që ka ndërmarrë qeveria, ky sektor po sheh një perspektivë të re zhvillimi.

Zv.kryeministri Erion Braçe vlerëson kontributin në rritje të bujqësisë në ekonominë e vendit, edhe pse, siç thotë ai, “ishin muajt më të vështirë për këtë sektor, pasi në janar e shkurt del vetëm prodhimi nga serrat dhe ato të mbjella nën panikun e tërmeteve”.

“I jam pafund mirënjohës bujqve për këto 6 muaj pafund të vështirë; Jo thjeshtë pse mbajtën ndezur motorin e ekonomisë kombëtare, por edhe për ushqimin e përditshëm, të freskët e me çmime që kurrë nuk rënduan xhepin e qytetareve. Puna e djersa e tyre, mundi e sakrifica në 18 orë të ditës, janë dëshmi që në bujqësi kemi punëtorë të mirë, të zotë, të ndershëm, të vuajtur e të parespektuar siç ata e meritojnë”, – shprehet Braçe.
Ai shpreh bindjen se, në situatën aktuale pas mjekëve e infermierëve, epidemiologëve, infeksionistëve, sanitareve kudo, bujqit janë ata që meritojnë mirënjohjen e gjithëkujt,
por edhe mbështetjen e qeverisë.
“Shihini sektorët që marrin pjesën më të madhe të parasë publike por edhe private, në rënie. Jo vetëm si përvojë nga dy emergjenca, por edhe për masivitetin, punëzënien,
prodhimin e shumtë e të shkëlqyer, duhet shumë më tepër. Kjo është koha për bujqësinë; paratë janë, duhen bërë efektive, burime duhen edhe më shumë, do t’i gjejmë, rregullime në tregje janë jetike, duhet t’i bëjmë dhe, të analizojmë, akreditojmë, markojmë, mbrojmë prodhimet tona të eksportit”, – thekson Braçe.
Zv.kryeministri ka publikuar një set fotosh nga kosheret me bletë të Zan Gjyles, që siç thotë ai “janë rritur e zhvilluar si nga meraku, kujdesi, pasioni i të zotit, ashtu edhe nga mbështetja e AZHBR-së”.
e.xh//a.a/r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.