Basha me operatorët turistikë në Divjakë: Turizmi pa mbështetje

TIRANË, 2 korrik /ATSH – I. Vata/ Kryetari i PD-së Lulzim Basha ka zhvilluar sot një takim me biznese dhe operatorë turistikë në Divjakë.

Në fjalën e tij, Basha tha se “efekti që turizmi do të jepte dhe do të japë nesër me qeverisjen tonë është i shumëfishtë edhe në degë të tjera të ekonomisë, sepse në këtë mënyrë ajo që do të arrimë është se me numrin e turistëve në rritje do të arrijmë që degë të ekonomisë siç janë bujqësia, prodhimi bujqësor dhe përpunimi i prodhimit bujqësor-blegtoral dhe i peshkut të dedikohet drejtpërdrejt për një konsum shumëfish më të lartë sesa konsumi i banorëve të vendit, ku ne kemi mundës të ofrojmë një numër më të madh turistësh dhe një sezon më të gjatë turistik”.

Ai tha se, “për këtë kërkohen politika reale, mbështetëse dhe jo tortura dhe kalvar të përditshëm të inspektorëve të ngjalave, inspektorët që janë shtuar gjatë kësaj qeverie. Në vitin tonë të parë qeverisës do të jenë në karantinë, pra në moratorium për një vit, derisa Shqipëria të ketë një kuadër normal dhe europian të inspektoratit, në mënyrë që as biznesi i vogël, fermeri dhe biznesi i madh të mos zgjohet me inspektor te dera”.

Po ashtu Basha tha se nga një klimë e re biznesi do të përfitojë i gjithë sektori i turizmit dhe gjithë ekonomia shqiptare.

“Së fundi, do t’i japim fund konkurrencës së padrejtë, lejeve dhe licencave ekskluzive që jepen kuturu dhe vazhdojnë të jepen edhe në ditët e fundit të qeverisë, ndërkohë 200 mijë shqiptarë që jetojnë nga sektori i turizmit është lënë pa mbështetje. Në sekret të plotë është marrë një pjesë e territorit, e tokës së bazës ushtarake në Sarandë dhe është bërë gati t’i jepet klientëve të qeverisë”, tha Basha. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.