743,9 milionë lekë për 7 sektorë/ AZHBR: 17 korriku afati i dorëzimit të dokumenteve për fermerët fitues të Skemës Kombëtare

TIRANË, 2 korrik /ATSH/ Fermerët e shpallur fitues në Skemën Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi 2020, kanë afat deri më datën 17 korrik 2020, për të kryer dorëzimin e dokumentacionit të nevojshëm, për të përfituar masën e subvencionimit.

Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR) bën të ditur se ka shpallur listat e fituesve në faqen zyrtare të saj dhe fermerët fitues janë të gjithë ata mbi vijën e kuqe.

Fermerët fitues duhet të paraqiten në agropikat e zonave të tyre për dorëzimin e dokumenteve plotësuese ose t’i dërgojnë me postë këto dokumente në Drejtorinë e AZHBR-së në Tiranë.

Fondi i parashikuar në Skemën Kombëtare 2020 është 743,9 milionë lekë dhe adreson financim të drejtpërdrejtë të fermerëve për 7 sektorë: blegtori, bletari, çmimin e plastmasit, shtimin e sipërfaqeve të mbjella me bimë mjekësore dhe aromatike, certifikimin e produkteve bujqësore, fermave organike, si dhe diversifikimin e aktiviteteve ekonomike në zonat rurale.

Fermerët aplikuan në Skemën Kombëtare 2020, për herë të parë këtë vit përmes portalit e-Albania, me zero dokumente. e.xh//a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.