Sezoni turistik/ Hapen 28 qendrat shëndetësore verore me shërbim 24 orë


TIRANË, 1 korrik/ATSH/ Nga Thethi, në Ksamil janë hapur 28 qendrat shëndetësore verore me shërbim 24 orësh, të cilat do t’u vijnë në ndihmë pushuesve.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga këto qendra shëndetësore të cilat janë të përgatitura për t’ju ardhur në ndihmë pushuesve, me mjekë dhe infermierë të trajnuar edhe për gjendjen e epidemisë.

“Mirëmëngjes nga 28 qendrat shëndetësore verore që janë hapur me shërbim mjekësor 24 orë nga Thethi në Ksamil, për t’ju ardhur në ndihmë pushuesve, me mjekë dhe infermierë të trajnuar edhe për gjendjen e epidemisë”, tha Rama.

Shëndetësia është në gatishmëri për një sezon turistik të sigurt. 160 mjekë dhe infermierë janë trajnuar edhe për situatën e epidemisë.

“Prej datës 15 qershor ne jemi hapur 24 orë në 7 ditë të javës në qendrën shëndetësore Ksamil. Në këtë periudhë, për shkak edhe të pandemisë, masat janë të gjitha të shtuara dhe personeli është i përgatitur për të pritur çfarëdo lloj rasti që do të paraqitet”, tha një mjeke e qendrës shëndetësore Ksamil.

E njëjta situatë paraqitet edhe në qendrat e tjera shëndetësore të cila funksionojnë me shërbim 24 orësh./m.m//a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.