TIRANË, 1 korrik/ATSH/ Ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Anila Denaj në takimin përmbyllës me misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar theksoi se ndryshimi i përkohshëm i parametrave fiskalë i detyruar nga rrethanat dhe dy goditjet e njëpasnjëshme nga tërmeti e pandemia, do të marrë një kthesë pozitive në periudhën afatshkurtër dhe afatmesme.
Ministrja u shpreh se “paketat mbështetëse për qytetarët dhe bizneset të financuara nga Qeveria Shqiptare do të vijojnë drejt finalizimit dhe rishikimi i Buxhetit të vitit 2020, pas pandemisë do të mundësojë rindërtimin në zonat e prekura nga tërmeti dhe vazhdimësi të projekteve prioritare që gjenerojnë punësim dhe rritje të ekonomisë. Në planin tonë afatmesëm mbeten ulja e qenësishme e borxhit publik dhe rikthimi në një balancë primare pozitive në vitin 2022”.
Ajo falënderoi misionin e FMN-së, qasjen e tyre të hapur dhe efektive në drejtim të zhvillimit të ekonomisë shqiptare ndërsa garantoi angazhimin e qeverisë shqiptare drejt konsolidimit fiskal dhe zbatimit të reformave në fushën e financave publike.
“Angazhimi i Qeverisë Shqiptare drejt konsolidimit fiskal dhe zbatimit të reformave në fushën e financave publike është i lartë për të siguruar indikatorë të shëndoshë makroekonomikë dhe një buxhet në përfitim të qytetarëve shqiptarë”, tha Denaj.
z.tosku/j.p/r.e/