Ndryshimet Kushtetuese për sistemin zgjedhor/ 7 ditë kohë për 4 ekspertët konstitucionalistë për përgjigjet ndaj pyetjeve të deputetëve

TIRANË, 1 korrik/ATSH/ Kuvendi i ka lënë 7 ditë kohë 4 ekspertëve konstitucionalistë për t’u kthyer përgjigje pyetjeve të deputetëve për ndryshimet kushtetuese për sistemin zgjedhor.

Në drejtimin e Kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi, u zhvillua sot mbledhja e përbashkët e Këshillit për Legjislacionin dhe Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, ku u vijua me procedurën e shqyrtimit të projektligjit “Për një ndryshim në ligjin nr. 8417, datë 21.10.1998 “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.

Në zbatim të kalendarit të miratuar në mbledhjen e kaluar, në rendin e ditës ishte parashtresa e pyetjeve të anëtarëve të Këshillit për Legjislacionin dhe Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, për 4 ekspertët konstitucionalistë, të përzgjedhur për të dhënë kontributin e tyre gjatë shqyrtimit të këtij projektligji të rëndësishëm.

Në nisje të mbledhjes Kryetari Ruçi, njoftoi dy emërimet e fundit në Këshillin e Legjislacionit, ato të: Myslym Murrizi, kryetar i grupit parlamentar demokrat dhe Edmond Stojku, kryetar i grupit parlamentar “Demokraci dhe drejtësi”. Më tej u njoftua se relatorë të projektligjit nga opozita parlamentare do të jenë deputetët: Ediola Braha dhe Korab Lita.

Mbledhja vijoi me parashtrimin e pyetjeve për 4 ekspertët konstitucionalistë dhe në përfundim, Kryetari Ruçi ftoi të gjithë deputetët e Kuvendit që nëse kanë pyetje për ekspertët t’i adresojnë ato deri ditën e premte (datë 3 korrik). Ekspertëve iu la një javë kohë afat (datë 8 korrik) për të parashtruar komentet dhe përgjigjet e pyetjeve e ngritura nga deputetët.

Në përfundim të mbledhjes u njoftua kalendari i seancave dëgjimore me shoqërinë civile, përfaqësues të botës akademike, institucionet shtetërore dhe partnerët ndërkombëtare.

Mbledhja e sotme u zhvillua përmes platformës së komunikimit online, Cisco Webex.

/gj.mima/ /a.g//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.