Laguna e Kune Vainit/ Destinacioni turistik, më lehtësisht i aksesueshëm falë ndërtimit të infrastrukturës së munguar prej vitesh

TIRANË, 1 korrik/ATSH/ Laguna e Kune Vainit, një nga asetet turistike të veriut të vendit, tashmë më lehtësisht e aksesueshme falë ndërtimit të infrastrukturës.

Kryeministri Edi Rama duke përcjellë pamje fantastike nga laguna, u shpreh se falë ndërtimit të një infrastrukturës së munguar prej vitesh, zona është shndërruar në një destinacion të shumëllojshmërisë së aktiviteteve që ofron.

“Laguna e Kune Vainit, një nga asetet turistike të veriut të vendit, tashmë më lehtësisht e aksesueshme, falë ndërtimit të një infrastrukture të munguar për vite me radhë tani e shndërruar në një destinacion të shumëllojshmërisë së aktiviteteve që ofron”, thotë Rama.

Laguna e Kune-Vainit në Tale të Lezhës është zona e parë e mbrojtur në vend, e shpallur si e tillë gati 8 dekada më parë. Parku i kësaj lagune cilësohet si një nga më interesantët dhe gjithnjë e më shumë po tërheq vizitorë të huaj dhe vendas.

Laguna e Kune-Vainit është rreth 8 kilometra larg qytetit të Lezhës dhe shumë pranë atij të Shëngjinit. Në përbërje të lagunës hyjnë mjedise detare, lagunore, ligatinore, pyje, shkurre dhe livadhe, që ndërthuren hijshëm midis tyre.

Dallohet për larmi të madhe të botës së gjallë rreth 227 specie bimësh, 17 lloje molusqesh, 10 lloje amfibësh, 24 lloje zvarranikësh, disa lloje peshqish si: qefull, levrek, kocë, ngjalë. Veçanërisht e pasur është bota e shpendëve (196 lloje migratore dhe të përhershëm), e cilësuar si “ornitologjia e Mesdheut”, 23 specie gjitarësh: lepur, dhelpër, ujk, derr i egër, etj.

z.tosku/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.