JERUZALEM – Johnson: Aneksimi në Cisjordani në kundërshtim me interesat e Izraelit

JERUZALEM, 1 korrik /ATSH-AFP/ – Aneksimi i pjesëve të Cisjordanisë, të pushtuara nga Izraeli, do të ishte një shkelje e ligjit ndërkombëtar dhe madje në kundërshtim me interesat e shtetit hebre, deklaroi sot kryeministri britanik, Boris Johnson në një artikull të publikuar në faqen e parë të një të përditshmeje izraelite.

Qeveria izraelite do të shprehet duke nisur nga sot mbi zbatimin e planit të presidentit amerikan, Donald Trump për Lindjen e Mesme, që parashikon aneksimin nga Izraeli të kolonive hebreje, dhe të luginës së Jordanit në Cisjordaninë e pushtuar.

“Jam një mbështetës i fortë i Izraelit, por shpresoj thellësisht se aneksimi nuk do të shkojë më tej”, konfirmoi Johnson në një artikull në hebraisht, i publikuar sot në faqen e parë të të përditshmes izraelite “Yediot Aharonot”, më e shitura në vend.

“Si një mik prej një kohe të gjatë, admirues dhe tifoz i Izraelit, kam frikë se këto propozimet për aneksim nuk do të arrijnë të sigurojnë kufijtë e Izraelit dhe kështu do të jenë në kundërshtim me interesat afatgjatë të Izraelit”, shtoi kryeministri britanik.

“Aneksimi rrezikon rrugën e marrë nga Izraeli për t’u afruar me botën arabe dhe myslimane (…) armiqtë e Izraelit do të përfitojnë nga situata dhe do ta përdorin atë kundër atyre që shpresojnë për përparim në Lindjen e Mesme”, nënvizoi Johnson duke e quajtur një aneksim një shkelje të ligjit ndërkombëtar.

“Dëshiroj një zgjidhje të drejtë për izraelitët dhe palestinezët dhe i vetmi mjet është që të dy palët të ulen në tryezën e negociatave, ndërkohë që aneksimi vetëm mund të na largojë nga ky objektiv”, theksoi Jonhson duke iu bashkuar qëndrimit të shumë liderëve europianë për këtë çështje të ndjeshme.//ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.