Gjermania merr kryesimin e BE/ Mundësi e shkëlqyer për Shqipërinë për nisjen e bisedimeve për anëtarësim

TIRANË, 1 korrik /ATSH/ “Për Shqipërinë, Presidenca Gjermane është një mundësi e shkëlqyer që nuk duhet humbur, për nisjen e bisedimeve për anëtarësim në BE”, deklaroi sot deputeti i PS, Ditmir Bushati.

“Sot, Gjermania merr drejtimin e Presidencës gjashtëmujore të BE-së. Megjithëse pesha e presidencave është relativizuar, për shkak se tanimë është Këshilli Europian, institucioni që përcakton agjendën në rrafshin e BE-së, me një horizont kohor që tejkalon gjashtë muaj, marrja e drejtimit të BE-së në këtë moment kritik, nga vendi më i fuqishëm europian, shoqërohet me pritshmëri të mëdha”, shprehet Bushati.

Ai thekson se, “dy prej çështjeve më themelore me të cilat pritet të përballohet Presidenca Gjermane janë: miratimi i buxhetit të ardhshëm të BE-së, i cili duhet të reflektojë edhe fondin e rimëkëmbjes, si pasojë e goditjes që mori ekonomia nga pandemia dhe marrëveshja tregtare me Mbretërinë e Bashkuar”.

“Për Shqipërinë, Presidenca gjermane është një mundësi e shkëlqyer që nuk duhet humbur, për nisjen e bisedimeve për anëtarësim në BE. Gjermania është një partner i ndershëm dhe i pazëvendësueshëm për Shqipërinë në rrugëtimin europian”, nënvizon Bushati.

/gj.mima//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.