ZVICËR – ILO: Rënia ekonomike ka ndikuar më rëndë nga sa pritej mbi punësimin 

GJENEVË, 30 qershor /ATSH-AFP/ – Rënia ekonomike e lidhur me pandeminë COVID-19 ka patur një ndikim më të rëndë nga sa pritej mbi punësimin, paralajmëroi sot Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO), e cila javën e ardhshme organizon një samit botëror virtual mbi këtë temë.

Raporti i pestë i ILO-s mbi COVID-19 tregon se numri i orëve të punës në të gjithë botën ra me 14% në tremujorin e dytë, në krahasim me tremujorin e katërt të vitit 2019.

Kjo përqindje përbën një përkeqësim të qartë në krahasim me vlerësimet e raportit të mëparshëm të publikuar më 27 maj, i cili parashikonte një ulje me 10,7%.

“Shifrat e reja pasqyrojnë një situatë të përkeqësuar në shumë rajone, javët e fundit, veçanërisht në ekonomitë në zhvillim”, tha ILO në një deklaratë.

Në nivel rajonal, humbja e orëve të punës gjatë tremujorit të dytë të vitit ka qenë 18,3% në kontinentin amerikan, 13,9% në Europë dhe Azi Qendrore, 13,5% në Azi dhe Paqësor, 13,2% në shtetet arabe dhe 12,1% në Afrikë./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.