Të dënuar më parë për vepra të ndryshme penale, OFL kërkesë për vetëdeklarim të pasurisë 4 personave

TIRANË, 30 qershor/ATSH/ Operacioni Forca e Ligjit, në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, u ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë 4 shtetasve të dënuar më parë për vepra të ndryshme penale.

OFL njofton se I ka dërguar kërkesat për shkrim shtetasit V. B., banues në Tiranë, i dënuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike, kryer në bashkëpunim”; A. P., banues në Curraj, Tropojë, i dënuar për veprat penale “Vjedhja me pasojë vdekjen, kryer në bashkëpunim” dhe “Armëmbajtja pa leje”; B. Gj., banues në Resk, Kukës, i dënuar për veprën penale “Shfrytëzim prostitucioni” si dhe G. T., banues në Korçë, i dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.

“OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special. OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë”, thuhet në njoftimin për shtyp. /a.g//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.