“Shqipëria, jo kujdestare e Kosovës”/Fletërrufeja goditi shumë më lart se në ballin e Thaçit e Veselit, përpjekje për të vendosur nën akuzë UÇK-në

TIRANË, 30 qershor/ATSH-Gjergji Mima/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se nuk erdhi në Kosovë për të ulur në një tryezë faktorin politik, por për të dëgjuar prej tyre të gjitha pikëpamjet mbi këtë situatë.

Në një konferencë për shtyp në përfundim të vizitës dyditore në Kosovë, Rama u shpreh se, “unë nuk erdha këtu për të bashkuar të gjitha partitë politike apo të gjithë udhëheqësit  e tyre në një tryezë sepse, e para kjo nuk është detyra ime dhe e dyta, ky do të ishte një kapërcim i kuadrit etik brenda të cilit sipas meje, duhet të veprojë një Kryeministër i Shqipërisë kur vjen fjala për Kosovën apo një kryeministër i Kosovës kur vjen fjala për Shqipërinë”, tha Rama.

“Asnjëherë nuk kam menduar mirë për këdo që, duke bërë rolin e kryeministrit është përpjekur t’u tregojë të tjerëve në shtetin tjetër se çfarë duhet të bëjnë dhe si duhet ta bëjnë. Shqipëria e ka detyrim të mbështesë Kosovën pa kushte dhe cilido që është në rolin e kryetarit të qeverisë në Shqipëri, duhet të jetë mishërim i këtij detyrimi. Por Shqipëria as nuk e ka dhe as nuk do ta marrë përsipër detyrën e kujdestarit apo e tutorit, mentorit që nga lart i tregon udhëheqësisë në Kosovë se çfarë duhet të bëjë”, theksoi Rama.

“Nga ana tjetër, unë nuk erdha këtu për të realizuar bashkimin mes forcave politike, si personi që kam detyrën dhe kapacitetin për ta bërë këtë. Por erdha këtu për të dëgjuar nga të gjithë, dhe këtë nuk mund ta bësh në një tryezë ku ulen të gjithë dhe sikur kjo të ishte realizuar, sy më sy dhe hapur opinionet e tyre, këndvështrimet e tyre. E dimë që natyrshëm nuk është se të gjithë mendojnë njësoj për të gjitha në këtë situatë dhe natyrisht edhe për të pasur një sens real të realitetit politik, sipas tërësisë së këtyre këndvështrimeve dhe opinioneve të të gjithë atyre që përfaqësojnë këtu pjesë të caktuara të shoqërisë”, shtoi Rama.

“U jam mirënjohës të gjithëve për mikpritjen, për drejtpërdrejtësinë e ndarjes së opinioneve dhe mund t’iu them se pas 24 orësh di më shumë sesa dija para 24 orësh lidhur me këtë çështje dhe me situatën. Natyrisht që iu takon udhëheqësve të këtushëm të marrin vendimet e tyre dhe të zhvillojnë proceset e nevojshme sipas tyre”, nënvizoi Rama.

“Sigurisht unë nuk e fsheh që kam opinionet e mia. Por opinionet e mia janë opinionet, nëse mund tha them në këtë formë, e një vëllai që jeton në shtëpi tjetër. Jemi vëllezër, por kemi dy shtete, kemi dy shtëpi. Ky është një problem, por është edhe një privilegj. Është një privilegj i krijuar falë luftës çlirimtare. Se mund të mos kishim, jo dy shtëpi sot, por mund të mos kishim Kosovën e pavarur dhe demokratike. Shumëkush mund ta ketë harruar, ose shumë kush mund të përtojë t’i kthehet historisë dhe të shohë se në çfarë konteksti u zhvillua rezistenca e popullit të Kosovës, që nga lëvizja gandiane e Ibrahim Rugovës, tek lufta çlirimtare. Dhe për shumëkënd natyrshëm kanë kaluar shumë vite dhe Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Ramush Haradinaj apo të tjerë mund të shihen thjesht me sytë e atyre që bënë apo nuk bënë sa dhe si duhet në qeverisje, por ajo çka sot duhet kujtuar me forcë është se pa këta emra të përveçëm dhe të tjerë bashkë me ta, sot ne mund të mos kishim as Kosovën e pavarur dhe shtet sovran dhe jo më dy shtëpi, një këtej bjeshkëve dhe një andej bjeshkëve”, tha Rama.

“Askush të mos bëjë gabimin të mendojë se gjithsesi do të ndodhte kështu. Se gjithsesi shpërbërja e Jugosllavisë do të sillte shtetin sovran të Kosovës. Absolutisht nuk do të ndodhte kështu nëse nuk do të ishin ata që kur zbritën në Prishtinë me Ushtrinë Çlirimtare, quheshin djemtë e malit. Disa të rinj që i hynë detit në këmbë dhe vendosën t’i hapin luftë, jo Sllobodan Milosheviçit, Sllobodan Milosheviçit po e po, luftë me armë. Por vendosën t’i hapin luftë murit të heshtjes ndërkombëtare. Vendosën t’i hapin luftë steriotipit të ngulitur shumë fort tek bashkësia ndërkombëtare. Tek ata që në vijim erdhën këtu me bomba, për të cilët, përpara krijimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, opsioni i Kosovës së pavarur ishte thjesht një herezi çmendurake. Ky është fakt historik”, theksoi Rama.

“Sot është koha për të kujtuar që këta njerëz, ndërkohë që ndërmorën një aventurë, për të cilën duhej një kurajo e jashtëzakonshme dhe u shpallën armiq për t’u eleminuar të regjimit të Beogradit, u shpallën terroristë në shumë oborre dhe në shumë rrugë ndërkombëtare të botës demokratike. I quanin terroristë, marksistë-leninistë, kriminel, dreq e të bir”, tha Kryeministri Rama.

“Kështu që mendoj se përtej tyre si persona, përtej tyre si autoritete shtetërore, është Kosova dhe çdo përpjekje për vetëpërmbajtje nga cilido. Dhe këtë nuk e kam me politikanët, e kam me qytetarët, e kam me njerëzit e Kosovës në radhë të parë që kanë qenë objekt i një sulmi barbar për pastrim etnik dhe që kanë qenë pjesë ose vetë, ose ndoshta shumë të rinj sot, por me familjet e tyre, apo prej familjeve të tyre, prej 1 milion njerëzve që janë nxjerrë jashtë nga këtu. Sigurisht me paqen dhe me zhvillimet demokratike pastaj janë ndarë në parti, në rryma në drejtime të ndryshme. Politika shqiptare nuk është vendi më i mirë për të dhënë shembuj edukate dhe për të krijuar edukatë për të tjerët, por sidoqoftë sot duhet pak vetëpërmbajtje dhe duhet fokus në faktin se ajo fletërrufe ka goditur shumë më lart dhe shumë më thellë sesa në ballin e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit. Shumë më larg dhe shumë më thellë. Këtu bëhet fjalë për drejtimin e lartë politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe për një përpjekje për të vendosur nën akuzë UÇK-në si të ishte një ushtri e rregullt agresorësh që vinin nga Beogradi”, tha Rama. /a.g//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.