Protokollet antiCovid/ 454 inspektime dhe monitorime në të gjithë vendin

TIRANË, 30 qershor/ATSH/ Trupat inspektuese të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit me fokus sigurinë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve kanë kryer 454 inspektime dhe monitorimet në kuadër të taskforcës kundër përhapjes së Covid-19.

AKU bën të ditur se “nga kontrollet e kryera është vendosur 1 masë administrative për kushte të papërshtatshme higjieno-sanitare si dhe u bë bllokimi deri në përmirësimin e kushteve”.

Sipas AKU-së, një ngarkesë me 336 kg qumësht është kthyer në vendin e origjinës në PIK Morinë, pasi nuk plotësonte kërkesat ligjore për të hyrë në vendin tonë.

Referuar planit të marrjes së mostrave, AKU ka marrë 25 mostra qumështi dhe fruta- perime për kryerjen e analizave laboratorike.

AKU do të vijojë punën në terren në garantim të sigurisë ushqimore dhe shëndetit të konsumatorëve./k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.