Përfaqësueset rajonale, Dama në Elbasan: Po vëzhgojmë elementë për Kombëtaren U-15

TIRANË, 30 qershor/ATSH/ Ekipet përfaqësuese të zonës rajonale Elbasan kanë zhvilluar seancën e radhës stërvitore me tri grupmoshat e ditëlindjeve 2006, 2007 dhe 2008.

Fëmijët e përzgjedhur në të gjitha zonat e vendit ku Federata Shqiptare e Futbollit ka ngritur zyra rajonale janë ndjekur nga trajneri i ekipit kombëtar U-15, Armand Dama gjatë një seance stërvitore. Dama theksoi se po punohet fort që fëmijët të trajnohen sa më mirë dhe qëllimi është që ata të bëhen pjesë e ekipeve kombëtare, duke filluar nga kategoria e moshës U-15 deri te kombëtarja e madhe.

Duke folur për “fshf.org”, trajneri Dama u shpreh se, “ne kemi tre grupmosha këtë vit, kemi ditëlindjen 2006, ditëlindjen 2007 dhe ditëlindjen 2008. I kemi përzgjedhur në çdo zonë, kemi 6 zona në Shqipëri dhe në të gjithë zonat kemi përzgjedhur lojtarët më cilësorë dhe ata pastaj vijmë i ndjekim nëpër zona dhe mundohemi të shikojmë vazhdimisht si po ecin.

“Kjo lloj moshe ka luhatje që janë normale, herë bien, herë ngrihen, ama më cilësoret ne i kemi përzgjedhur dhe i ndjekim vazhdimisht, i bëjmë stërvitje, mundohemi të korrigjojmë çfarë po ndodh, nëse ka progres apo nuk ka progres. Ne do t’i ndjekim vazhdimisht. Nga viti në vit ka lojtarë më cilësorë. Puna është më e mirë dhe automatikisht edhe cilësia është më e lartë. Ky është qëllimi. Po mundohemi vazhdimisht të krijojmë trajnim sa më të mirë, që ata të përmirësohen dhe të jenë në nivele më të mira”, theksoi ai.

“Gjithmonë qëllimi është për të kaluar nga niveli bazë tek U-15, U-17, U-19 dhe mundësisht edhe te kombëtarja e madhe. Ky është qëllimi. Pothuajse kemi parë të gjithë ata lojtarë që janë cilësorë në të gjithë Shqipërinë dhe gradualisht po i ndjekim, po i trajnojmë dhe po shikojmë se sido të ecin”, tha Dama gjatë vëzhgimit të seancave stërvitore në Elbasan.

/gj.m//a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.