Operacion i përbashkët Shqipëri-Itali/ 37 persona të arrestuar, sekuestrohen 3.5 tonë drogë

TIRANË, 30 qershor/ATSH/ Një operacion i përbashkët mes autoriteteve shqiptare dhe italiane ka mundësuar arrestimin e 37 personave dhe sekuestrimin e 3.5 tonë drogë me një vlerë pasurie që shkon në 40 milionë euro. Gjithashtu prokuroria ka dhënë urdhër për sekuestrimin e një pasurie me vlerë 4 milionë euro.

Detajet e këtij operacioni ndërkombëtar i koduar “Kulmi”, i nisur që prej vitit 2018 u bënë të ditur gjatë një konference për shtyp nga prokurori kombëtar i antimafias Federico Cafiero De Raho, Arben Kraja, kreu i Prokurorisë Speciale Antikorrupsion dhe Krimi i Organizuar (SPAK) dhe prokurori Vladimir Mara, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, Filippo Spiezia, nënkryetar dhe anëtar për Italinë e Eurojust, Giuseppe Volpe, prokuror i Barit dhe drejtori i DIA-s, Giuseppe Governale.

Gjatë hetimit, u kapën afërsisht tre tonë e gjysmë drogë që nga marijuana, kokaina dhe hashashi, për një vlerë mbi 40 milionë euro dhe që korrespondon me rreth 7 milionë doza.

Prokurori i Antimafias italiane, Federico Cafiero De Raho u shpreh se, suksesi i operacionit ishte bashkëpunimi mes dy vendeve për të goditur grupet kriminale me skuadra invetigative.

“Sot njoftojmë ekzekutimin e një operacioni me rëndësi të madhe. Ka pasur 37 të arrestuar. Një operacion i madh pas bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Italisë me një skuadër investigative. Këtu ndodhet kreu i Prokurorisë së Posaçme, Arben Kraja dhe prokurori Vladimir Mara, që ndër të tjera ka qenë drejtori së bashku me prokurorin tonë në Bari të skuadrës hetuese të përbashkët”, theksoi ai.

“Një operacion i madh sepse ka hetuar një trafik ndërkombëtar dhe ka sjellë sekuestrimin e tonelatave marijuanë, hashash dhe sasi të mëdha kokaine”, tha De Raho.

“Me Shqipërinë ka një bashkëpunim të ngushtë dhe një raport që tashmë zgjat prej disa vitesh dhe kjo u projektua edhe në grupin e madh të skuadrave investigative të përbashkëta dhe në aktivitetet investigative të zhvilluara në territoret e vendeve tona italian dhe shqiptar. Zhvillimi ka qenë aq i madh sa dhe në Shqipëri kemi pasur bashkëpunues të drejtësisë. Dhe kjo është një e dhënë që dua ta nënvizoj. Aty ku bëhet eficente makina gjyqësore aty trafikanti, në momentin kur mendon se duhet të bashkëpunojë beson tek një autoritet gjyqësor tek i cili ka besim. Dhe kjo është një e dhënë me shumë rëndësi.

Bashkëpunimi është instrumenti i vetëm mes të cilit është e mundur të përballet tema e trafikut ndërkombëtar të drogës. Bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Italisë bëhet tashmë menjëherë, direkt, pa ndërprerje, sikur të ishim të gjithë në të njëjtin territor, si një vend i vetëm dhe të lëvizim në të njëjtin drejtim të mundur që është kundër krimit të organizuar që tashmë operon në nivel ndërkombëtar”, tha ai.

“Ky operacion është, së bashku me atë të vitit të shkuar, operacioni më i madh kundër krimit të organizuar shqiptar dhe italian”, theksoi de Raho.

Prokurori i Barit, Giuseppe Volpe  tha se, “grupet kriminale funksionojnë si një lum i madh. Grupet shqiptare duke përdorur brigjet e Jugut për të kaluar në ato italiane sasi të mëdha marijuane. Janë pasuri të sekuestruara që u përkasin shqiptarëve dhe italianëve”.

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu tha se, “jam shumë krenarë sot që së bashku finalizuam këtë procedim për më shumë se 2 vjet e gjysmë dhe ia dolëm me sukses. Me këtë rast dua të falënderoj të gjithë forcat pjesëmarrëse jo vetëm në operacionin e sotëm, por ndjekjen në vazhdimësi gjatë gjithë periudhës. Duke përfshirë forcat e policisë shqiptare, ato të DIA-s dhe skuadrën e Interforcës në Shqipëri.
“Le të jetë rezultati i këtij operacioni një motiv më shumë për të forcuar akoma më shumë bashkëpunimin dhe për të arritur rezultate të shkëlqyera në të ardhmen. Ne ngelemi të gatshëm dhe të angazhuar për t’u bërë pjesë e suksesit në të gjitha skuadrat e përbashkëta dhe operacionet që do të bëhen në të ardhmen”, tha Veliu.

/a.g//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.