Martanesh/ Besimtarët bektashinj festojnë “Ballëm Sulltanin”

TIRANË, 30 qershor /ATSH – I. Vata/ Besimtarë bektashinj kanë nisur sot pelegrinazhin e përvitshëm në teqenë e Ballëm Sulltanit, në Martanesh.

Në këtë pelegrinazh morën pjesë Kryegjyshi Botëror, Dede Edmond Ibrahimi, klerikë si dhe kryetari i bashkisë Bulqizë, Lefter Alla.

Besimtarët iu bashkuan lutjeve të Baba Mondit për sa më shumë paqe e mbarësi në vatrat e të gjithë shqiptarëve.

“Të gjithë bashkë iu bashkuam lutjeve të Kryegjyshit Botëror Bektashian, Baba Mondi, për më shumë paqe e mbarësi në vatrat e të gjithë shqiptarëve. Ne do të bëjmë gjithçka që duhet për ta kthyer atë në një qendër atraktive jo vetëm për besimtarët që vijnë nga vende të ndryshme të botës, por edhe për turistët vendas dhe të huaj”, tha kryetari i bashkisë Bulqizë, Lefter Alla.

Ballëm Sulltani konsiderohet si një ndër figurat më të rëndësishme të bektashizmit. Ai ka jetuar në shekullin XV, kur që i vogël mësoi mistikën dhe u bë dervish. Aktivitetin kryesor e zhvilloi në Teqenë e Haxhi Bektashit në Turqi, ku sulltani i asaj kohe, Bajaziti II e pajisi me dekret të veçantë për drejtimin e saj.

Ballëm Sulltani e riorganizoi urdhrin në të gjithë botën. Riti i pranimit të ashikëve në radhët e bektashizmit njihet si “Metoda e Ballëm Sulltanit”, po ashtu dhe përdorimi i qirinjve në këtë rit, madje edhe guri me 12 ndarje që klerikët bektashinj e vendosin në brez.

Nisur nga të gjitha risitë që i solli urdhrit, Ballëm Sulltani konsiderohet si figura e dytë pas themeluesit Haxhi Bektashi Veliu.

Prej vitit 2017, teqeja e Ballëm Sulltanit është shpallur monument kulture. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.